Në kuadër të ditës së pavarësisë dhe të çlirimit të shtetit të Kuvajtit, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në aktivitetin e organizuar me këtë rast nga Ambasada e Kuvajtit në ambientet e “Hotel Tirana”.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm gjithashtu edhe Ambasadori i Kuvajtit në Tiranë, z. Fayez Mishari Al-Jassim, Drejtori i Komitetit të Bashkuar Kuvajtjan për Bamirësi dega-Shqipëri, z. Ibrahim el-Meki, përfaqësues të institucioneve të ndryshme publike e private, fëmijë jetimë, etj.

Pasi uroi ditën e pavarësisë dhe çlirimit, Kryetari Spahiu u ndal në kontributin e shtetit të Kuvjatit nëpërmjet fondacioneve në ndërtimin e xhamive në mbarë vendin, ndihmën në kauzën e fëmijëve jetimë, si dhe kontribute e bamirësi të ndryshme, etj.

Më tej ai ndau me ta pranishmit hadithin e Profetit Muhamed (s.a.s) ku thotë se: “Unë me kujdestarin e jetimit, do të jemi komshinj në xhenet.”

Ndërsa Ambasadori i Kuvajtit, z. Fayez Mishari, u ndal në një tablo përshkruese të punëve dhe kontributit të kësaj ambasade që nga themelimi i saj në vendin tonë e deri në ditët e sotme.

Aktiviteti vazhdoi më tej me interpretime të ndryshme dhe ilahi nga fëmijët jetimë të mbledhur me këtë rast.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë