Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, ka shtruar në ambjentet e Pallatit të Brigadave iftar në Natën e Kadrit.
Të pranishëm në këtë iftar ishin kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, përfaqësues të KMSH-së dhe komuniteteve të tjera fetare në vendin tonë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të shoqatave islame, personalitete nga fusha të ndryshme, artistë e gazetarë.
Rama vlerësoi u uroi mirëseardhjen të ftuarve dhe shtoi se përjetimin e kësaj Nate të Mirë të Kadrit e bën më të ndjerë kumbimi i hijshëm i zërit të ezanit, i cili paqësisht, qetësisht, qartësisht thërret prej shembullit të përulësisë personale forcën e lutjes së përbashkët.
“ Ju qoftë i lehtë dhe i pranuar agjërimi të gjithë besimtarëve myslimanë këtu të pranishëm dhe ata që mbase na ndjekin përmes kamerave, të gjithë juve dhe të gjithë atyre që mu sipas fjalëve të shenjta janë në besë dhe gjithë sa janë i përngjiten paqes, larg ecejakeve të dasibërësve, zullumqarëve të pandreqshëm”, tha ndër të tjera Rama.
Ndërsa Kryetari i KMSH-së, H. Bujar spahiu falenderoi Kryeministrin për shtrimin e Iftarit dhe theksoi se muaji i Ramazanit është muaji i mëshirës, mirësisë, solidaritetit dhe dashurisë.
Ramazani është një shtysë themelore i cili përmirëson sjelljet e njeriut në botën e tyre shpirtërore, për të qenë njerëz të mirë me të tjerët dhë për të ndërtuar raporte më të mira me Krijuesin tonë”, tha kreu i KMSH-së.