Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, zhvilloi një vizitë pune në Shkodër, ku kishte programuar vizitë në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” dhe një bashkëbisedim me maturantët e të dyja degëve vajza dhe djem.
I shoqëruar nga anëtarët e Kryesisë së KMSH-së, drejtori i Kulturës Dr. Genti Kruja dhe drejtori i Arsimit z. Astrit Zharri, si dhe Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed Sytari, Kryetari Bruçaj u prit nga z. Kujtim Dervishi, drejtor i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Ridvan Seferaj, kryetar i Shoqatës “Istanbul” dhe stafet e dy degëve të medresesë.
Fillimisht, Kryetari Bruçaj, zhvilloi një vizitë në objektin e ri të Medresesë, ku zhvillojnë mësim klasat e ciklit të ulët. Në vizitat e tij në disa prej klasave, Kryetari dha mesazhe të përzemërta për suksesin dhe mbarësinë e mësuesve në edukimin e brezit të ri me frymën e dashurisë për dijen dhe shkollën.
Më pas, vizita vijoi me bashkëbisedimin e organizuar nga drejtoria e shkollës, ku z. Bruçaj dha mesazhet dhe këshillat e tij për 150 maturantët e medresesë së Shkodrës; për vazhdimin e studimeve dhe nxitjen për të perfeksionuar dituritë, në fushat e përzgjedhura për studime.
Kryetari Bruçaj tha se kushtet bashkëkohore, që ofron Medreseja e Shkodrës dhe ato të krejt vendit, janë një mirësi e madhe dhe një shtysë më shumë për ta vlerësuar këtë begati të Zotit, me studim të vazhdueshëm dhe reflektimin e moralit të shkollës në realitetet e përditshme.
Kryetari ndau me të pranishmit edhe një pjesë të eksperiencës së tij personale, si ish-medresist dhe rëndësinë e madhe që ka mësimi dhe studimi në jetë.
Më herët, maturantët i përshëndeti edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, si dhe drejtori i Medresesë, z. Kujtim Dervishi.
Me rastin e kësaj vizite dhe takimi të përzemërt, H. Skender Bruçaj i dhuroi dy bibliotekave të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, kolanën prej dhjetë vëllimesh të revistës “Zani i Naltë”.