Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Skender Bruçaj priti në selinë e KMSH-së ambasadoren e re të Gjermanisë, znj. Susanne Schütz, të cilës i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re.
Kryetari Bruçaj e njohu me aktivitetin e Komunitetit Mysliman dhe rolin që ky institucion ka në ruajtjen e stabilitetit në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë shqiptare.
Gjithashtu kryetari i KMSH-së e njohu edhe me kontributin e Medreseve të Shqipërisë dhe Universitetit Bedër në rritjen e arsimit dhe përçimin e vlerave tek të rinjtë shqiptarë, të cilat deri më tani kanë qenë një histori suksesi për institucionin e KMSH-së falë edhe bashkëpunimit me partnerë serioze të cilët kanë mirë administruar këto institucione.
Ambasadorja Susanne Schütz, vlerësoi qëndrimet e KMSH-së ndër vite si dhe rolin e saj aktiv në promovimin e vlerave të besimit dhe raportet me komunitetet e tjera fetare.
Ajo shprehu interes për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë.
Kryetari Bruçaj e informoi se do të jetë një kompleks që do t’i shërbejë të gjithëve si një vend për adhurim por dhe si një qendër multifunksionale. Kompleksit të Namazgjasë do t’i shtohet edhe muzeu i bashkëjetesës fetare.
Ambasadorja znj. Susanne Schütz çmoi punën dhe angazhimin e treguar nga KMSH dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet arsimore te KMSH-së, duke ofruar mundësi te tjera për edukimin e studenteve te diplomuar nga këto shkolla edhe ne Gjermani.
Gjithashtu edhe Bruçaj shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
Ambasadorja Susanne Schütz shoqërohej nga znj. Christiane wolters, referente për kulturën dhe shtypin.
3 nëntor 2016