Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, priti në një takim ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë në vendin tonë, rezident në Prishtinë, z. Jan Braathu.
Kryetari Bruçaj e falënderoi z. Braathu për vizitën dhe i uroi atij suksese në përmbushjen e misionit të tij diplomatik.
Më tej z. Bruçaj e njohu vizitorin me historikun e KMSH-së, ecurinë dhe sfidat e hasura gjatë këtyre dy dekadave, si dhe kontributin e tij në fusha të ndryshme me interes shoqëror.
Z. Braathu falënderoi z. Bruçaj për mikpritjen dhe vlerësoi lart kontributin që KMSH ofron për besimtarët dhe shoqërinë shqiptare, sidomos në promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare. Z. Braathu vlerësoi, gjithashtu, dokumentarin e KMSH-së “Kombi dhe Feja”, kushtuar dialogut dhe harmonisë ndërfetare.
Kreu i KMSH-së e njohu ambasadorin me botimet e fundit të KMSH-së, revistat dhe periodikët e saj, si dhe me konferencat e zhvilluara kohët e fundit dhe aktivitete të tjera të institucionit.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi mes palëve dhe u diskutua mundësia e thellimit të tij në të ardhmen nëpërmjet projekteve konkrete me interes dypalësh.
Në takim ishin të pranishëm Drejtori i Kulturës, z. Genti Kruja dhe Drejtori i Medias dhe i Marrëdhënieve me Jashtë, z. Fejzi Shaholli.
Ambasadori Braathu shoqërohej në këtë takim nga menaxherja e projekteve pranë ambasadës, znj. Mimoza Janova.
22 prill 2015