Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, priti në një vizitë kortezie në selinë e KMSH-së ambasadorin e ri të Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri, z. Fayez Mishari Al-Jassim dhe zv/ambasadorin, z. Saud Mutairi.
Kryetari Bruçaj e uroi z. Fayez Mishari Al-Jassim për detyrën e re në Shqipëri dhe e falënderoi për vizitën. Ai vlerësoi marrëdhëniet e mira midis dy palëve, dhe shprehu gadishmërinë për bashkëpunim që këto marrëdhënie të forcohen akoma më shumë.
Më tej z. Bruçaj e njohu vizitorin me historikun e KMSH-së, ecurinë dhe sfidat e hasura gjatë këtyre dy dekadave, si dhe kontributin në fusha të ndryshme me interes shoqëror.
Fayez Mishari Al-Jassim falënderoi z. Bruçaj për mikpritjen dhe vlerësoi lart punën që KMSH ka dhënë dhe vazhdon të japë si për komunitetin e besimtarëve, ashtu edhe për shoqërinë shqiptare në tërësi.