Një delegacion i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari Skender Bruçaj, zhvilloi një takim me Papa Françeskun, gjatë vizitës së tij njëditore në Shqipëri.
Kryetari Bruçaj e falënderoi Shkëlqesinë e tij për këtë vizitë historike, duke e cilësuar atë si një vlerësim të madh për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo që janë.
Papa Françesku nga ana e tij vlerësoi lart marrëdhëniet shembullore të mirëkuptimit ndërmjet tre besimeve fetare ne Shqipëri, që e bën Shqipërinë një vend unik në këtë aspekt. Kreu i Vatikanit vlerësoi gjithashtu kontributin e KMSH-së në ruajtjen e harmonisë fetare si dhe rolin e tij pozitiv në dobi të shoqërisë dhe prosperitetit të vendit.
Në emër të shqiptarëve myslimanë, z. Bruçaj i dhuroi Shkëlqesisë së tij, një tablo në dru të xhamisë dhe kishës të lidhura me njëra-tjetrën me flamuj kombëtarë, dëshmi e gjallë e harmonisë dhe frymës paqësore që karakterizon ndër shekuj shqiptarët e të gjitha besimeve.
Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i KMSH-së Bujar Spahiu, Myftiu i Tiranës Ylli Gurra, Myftiu i Durrësit Redin Quku, Rektori i Universitetit Bedër, Ferdinand Gjana dhe drejtori i Kulturës Genti Kruja.
21 shtator 2014