Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, i shoqëruar nga Drejtori i Arsimit në KMSH, Astrit Zharri, ka vlerësuar me Certifikata Mirënjohje nxënësit e medreseve, të cilët kanë dalë fitues në olimpiadat fetare të organizuar nga KMSH.
Në takimin me nxënësit dhe me stafin pedagogjik në selinë e KMSH-së, Kryetari Bruçaj shprehu mirënjohjen e veçantë për nxënësit, të cilët korrën sukses në konkurset dhe olimpiadat ku ata morën pjesë si dhe vlerësoi punën e palodhur të stafit pedagogjik të medreseve, teksa e cilësoi punën e mësuesit si mision fisnik i cili përgatit brezat e së ardhmes.
Ai vlerësoi kontributin e tyre dhe i siguroi mbështetjen e Komunitetit Mysliman në çdo hap të tyre në fushën e arsimit dhe të karrierës, por edhe në çdo aspekt të jetës.
“Jam shumë i lumtur sot që gjendem në mesin e këtyre të rinjve, nxënës të mrekullueshëm, plot me energji pozitive dhe shpresë për të ardhmen. Shkolla është vendi i mësimit, i edukimit dhe i skalitjes së virtyteve dhe cilësive më të mira të nevojshme për jetën. Medresetë në qytete të ndryshme të vendit janë shembulli më i mirë i arsimit dhe edukimit të brezave të rinj”, nënvizoi kryetari Bruçaj.
Në përfundim z. Bruçaj dhe Drejtori i Arsimit në KMSH z. Astrit Zharri u shpërndanë nxënësve fitues Certifikatat e Mirënjohjes.
Olimpiada e lëndëve fetare që organizohet çdo vit nga Drejtoria e Arsimit konsiderohet si një veprimtari e rëndësishme jashtë shkollore, e cila ka synim që të inkurajojë dhe t’i nxisë nxënësit më prirje të veçanta në fushën e lëndëve fetare. Në këtë olimpiadë marrin pjesë nxënës të shkollave të mesme nga të gjitha medresetë e Shqipërisë.
Medresetë e Shqipërisë kanë marrë pjesë çdo vit edhe në shumë konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare mbi fusha të ndryshme të shkencave ku dhe kanë fituar çmime të ndryshme.
2 qershor 2016