Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë uroi sot të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, me rastin e fillimin të muajit të Ramazanit.
Në urimin e tij drejtuar myslimanëve shqiptarë Kryetari Muça u shpreh: “Ju përshëndes me paqen dhe sigurinë, që vjen prej Allahut Mëshirues dhe ju uroj gëzuar e për shumë vjet muajin e begatë të Ramazanit. Ramazani, është një kohë kur besimtarët së bashku me agjërimin që i jep kuptimin esencial këtij muaji, rinovojnë devotshmërinë ndaj Zotit, rizgjojnë edhe një herë fuqishëm mëshirën, dashurinë dhe përkrahjen ndaj njerëzve”.
Në fund të mesazhit të tij, kreu i KMSH-së, uroi që ky muaj të sjellë në familjen e çdo shqiptari paqe, qetësi dhe harmoni.
Urimi i plotë Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me rastin e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit
KOMUNITETI MYSLIMAN I SHQIPËRISË
URIM PER RAMAZANIN
8 korrik 2013
Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë, ju përshëndes me paqen dhe sigurinë, që vjen prej Allahut Mëshirues dhe ju uroj gëzuar e për shumë vjet muajin e begatë të Ramazanit.
Ramazani, është një kohë kur besimtarët së bashku me agjërimin që i jep kuptimin esencial këtij muaji, rinovojnë devotshmërinë ndaj Zotit, rizgjojnë edhe një herë fuqishëm mëshirën, dashurinë dhe përkrahjen ndaj njerëzve.
Ramazani është një kohë e bekuar, ku besimtarët reflektojnë edhe një herë mbi mendimet dhe sjelljet e tyre, duke e kthyer dëgjimin më shumë se kurrë tek zëri i ndërgjegjes dhe melodia e zemrës.
Devotshmëria ndaj Zotit është qëllimi i vërtetë i agjërimit dhe objektivi final i tij është lumturia e njeriut në të dy botët.
Ne nuk duhet të harrojmë se njerëzit sot kanë nevojë për mëshirë, duke agjëruar ne bëhemi më të mëshirshëm.
Shoqëria jonë sot ka nevojë për drejtësi, duke agjëruar ne bëhemi më të drejtë.
Të afërmit dhe fqinjët tanë sot kanë nevojë për përkrahje, duke agjëruar ne bëhemi më të ndjeshëm ndaj halleve dhe nevojave të tyre.
Ne kemi nevojë të pendohemi për gabimet tona, dhe kur jemi agjërueshëm është momenti më i volitshëm t’i kërkojmë Zotit falje.
Allahu thotë në Kur’an:
“O robërit e Mi, që e keni ngarkuar veten tuaj me mëkate, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut, sepse vërtetë Allahu i falë të gjitha mëkatet. Ai është që falë shumë dhe i Mëshirshëm”.
Edhe për ne shqiptarët, Ramazani është i mirëseardhur. Ai na ofron durim në këtë stinë të nxehtë, prehje shpirtërore, qëndrueshmëri, drejtësi, barazi e marrëdhënie të mira të mbështetura në parime hyjnore.
Së fundi i lutem Zotit, që ky muaj të sjellë në familjen e çdo shqiptari paqe, qetësi dhe harmoni. Zoti Fuqiplotë e begatoftë popullin, vendin dhe kombin tonë.
Paçi mirësi e begati dhe Zoti jua pranoftë agjërimin, adhurimet dhe lutjet e juaja.
Amin!
Kryetari
Haxhi Selim Muça