Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, sëbashku me Ministren e Kulturës, znj, Elva Margariti dhe Myftiun e Shkodrës Sytari, morën pjesë në prezantimin e projektit të restaurimit të Xhamisë së Plumbit/Shkodër.
“Është kënaqësi të jem sot këtu në nisje të një pune të mrekullueshme, restaurimin e Xhamisë së Plumbit.
Unë preferoj ta quaj këtë xhami, Xhamia e rezistencës.
Objektet e trashëgimisë kulturore në tërësi janë historia e çdo kombi, ato fetare veçanërisht, pasi mbartin trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore.
Nëpërmjet restaurimit dhe mirëmbajtjes së tyre ne shërbejmë si zinxhirë transmisioni kulturor e fetar për brezat që do të vijnë pas nesh…” theksoi Kryetari Spahiu në fjalën e tij.
Znj. Margariti theksoi rëndësinë e madhe që bartin objektet e kultit për historinë dhe kulturën e vendit tonë dhe vëmendjen e veçantë që institucionet po tregojnë në drejtim të kësaj trashëgimie të vyer.
Edhe Myftiu i Shkodrës vlerësoi rëndësinë dhe nevojën jetike që kishte restaurimi i kësaj xhamie shekullore, për Shkodrën në tërësi dhe besimtarët e zonës në veçanti.
Të gjithë pjesëmarrësit shprehën falënderimet e tyre për financuesit e restaurimit të kësaj xhamie, Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Të pranishëm në këtë prezantim ishin edhe Drejtori i Vakf/Investimeve dhe Financës në KMSH, z. Edison Hoti, arkitektë e specialistë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe KMSH si edhe qytetarë të zonës.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë