Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i shoqëruar nga Nënkryetari i Institucionit, z. Taulant Bica, vizituan sot xhaminë e qëndrës së Qytetit të Kavajës, ku mbajtën respektivisht hutben e xhumasë dhe vazën para namazit.

Gjatë kësaj vizite ata u pritën nga Myftiu i qytetit, z. Besnik Leçini.

Në vazën e mbajtur para faljes së namazit të xhumasë, Nënkryetari Bica, trajtoi për dhjetëra besimtarët e pranishëm temën: “Rëndësia e adhurimeve në jetën e besimtarit, veçanërisht namazi”.

Në fjalën e tij ai trajtoi shembullin profetik si shembullin më të përkryer përsa i përket praktikimit të adhurimeve në jetën tonë të përditshme. Sipas tij feja nuk është vetëm ndërgjegje por është një mënyrë jetese sipas urdhëresave hyjnore. Është obligim për njerëzit që ti përgjigjen këtyre urdhëresave sepse Zoti nuk e krijoi njeriun pa asnjë qëllim, Zoti është larg çdo të mete, nuk krijon gjë pa qëllim. Për këtë arsye Ai zgjodhi si mënyrë jetese për njerezit Islamin sepse Islami është mënyra e jetesës më e përshtatshme me natyrshmërinë njerëzore.

Më tej, Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu mbajti hutben e xhumasë në të cilën trajtoi temën: “Falënderimi, virtyt i paçmuar”

Duke ju referuar disa haditheve, ajeteve Kuranore dhe dijetarëve myslimanë në konceptimin e falënderimit ai parashtroi për besimtarët e pranishëm argumenta të shumta përse njeriu duhet të jetë vazhdimisht falënderues e mirënjohës ndaj Zotit të Gjithësisë.

“Falënderimi që i bëhet Zotit të botërave në namaz është më i miri, sepse namazi përfshin të gjitha llojet e falënderimeve. Çdo pasuri, mbi dhe nën sipërfaqen e tokës është krijuar nga Allahu i Lartmadhëruar për t’i shërbyer njeriut dhe jetesës së tij në tokë. Për të gjitha këto dhe të tjera, ne duhet që vazhdimisht ta falënderojmë Krijuesin tonë, i cili megjithëse ne mëkatojmë,  Ai vazhdimisht nuk e kursen ndihmën dhe begatitë e veta për ne.” – tha Kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij.

Pas përfundimit të hutbes, Kryetari i KMSH-së vijoi më tej me faljen e namazit të xhumasë ku ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm besimtarësh.

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë