Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, vizitoi sot xhaminë e qendrës, Kamëz, ku mbajti edhe hytben e xhumasë me temë: “Njeriu është me atë që do”.

Në këtë hadith Profeti ynë shpjegon më së miri se njeriu si në këtë botë, por edhe në botën e përtejme do të jetë vazhdimisht me ata që do, në cilindo skaj qoftë, pozitiv apo negativ. Ai që do të jetë së bashku me profetët, me njerëzit besnik dhe të drejtë, më parë duhet t’i dojë ata, pastaj duhet t’i bëjë natyrë brenda vetes karakteristikat e atributet e tyre.

Kryetari Spahiu, e ilustroi fjalimin e tij me shembuj të ndryshëm nga jeta e Profetit Muhamed s.a.s, për ta bërë sa më konkrete temën në përditshmërinë tonë.

“Duke qenë se njeriu do të jetë bashkë me atë që do, atëherë duhet t’i dojë ata të cilët do t’i bëhen shokë në jetën e përtejme, ti ndihmojë, të jetë pranë tyre e të bëhen shembulli më i mirë për njëri tjetrin, të bëjnë punë të mira sëbashku për të fituar kënaqësinë e Allahut.”- tha ai gjatë fjalës së tij.

Ai gjithashtu e vuri theksin mbi ndjenjën e dashamirësisë dhe dashurisë si themelore në ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore në familje, në rrethin farefisnor po ashtu edhe në shoqërinë e përbashkët.

“Detyra jonë morale e shpirtërore nuk është që të kemi zili njëri-tjetrin, por që të krenohemi me vlerat e vëllezërve tanë dhe të gëzohemi për mirësitë dhe punët e mira që ata veprojnë.” shtoi më tej z. Spahiu.

Pas përfundimit të hytbes, Kryetari i KMSH-së vijoi më tej me faljen e namazit të xhumasë ku ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm besimtarësh.

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë