Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në Samitin e Paqes për Evropën Juglindore me temë:”Paqja, Siguria dhe Zhvillimi njerëzor në Evropën Juglindore”, samit i cili u zhvillua sot dhe përgjatë ditës së nesërme në Tiranë.

Në këtë samit marrin pjesë personalitete të nivelit të lartë, përfshi krerë aktual dhe të mëparshëm shtetesh dhe qeverish, parlamentarë, udhëheqës fetarë, drejtues të shoqërive civile, si dhe një numër i konsiderueshëm figurash nga fusha të ndryshme, të cilët gjatë punimeve të samitit trajtuan çështje të ndryshme me rëndësi, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve që na çojnë drejt paqes afatgjatë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Evropën Juglindore e më gjerë.

Seanca plenare e hapjes së samitit u zhvillua sot në “Pallatin e Kongreseve” Tiranë, ku në panelin e atyre që përshëndetën punimet e samitit ishin të pranishëm, znj. Vasilika Hysi, Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, z. Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vëtëvendosje dhe Kryeministër i Ardhshëm i Kosovës, z. Talat Xhaferi, Kryetar i Asamblesë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, si dhe ish-Ambasadori Amerikan Christopher Hill.

Ndërsa paneli i të ftuarve të nderit përbëhej nga Humanitarja dhe Bashkëthemeluesja e “Federatës Universale të Paqes” znj. Hak Ja Han Moon, ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Alfred Moisiu, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, z. Stevo Pendarovski si dhe Deputetja dhe Nënkryetarja e Grupit Parlamentar Socialist të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali.

Samiti vazhdoi punimet më tej me referime të të pranishmëve në ambientet e “Hotel Tirana”. Seancë në të cilën Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu referoi mbi temën:”Adresimi i sfidave kritike të kohës sonë: Roli i liderëve të besimit.”

Gjatë fjalës së tij ai u fokusua mbi shembullin e Islamit në zgjidhjen e sfidave të përditshme si besimtarë dhe si qytetarë të shoqërisë së përbashkët njerëzore. Më tej ai ndau me të pranishmit harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare të Shqipërisë si një shembull pozitiv për t’ja servirur mbarë botës.

“Komuniteti Mysliman dhe intelektualët myslimanë shqiptarë, krahas rilindësve të tjerë, pa dallim feje kanë dhënë një kontribut të fuqishëm në të gjithë rrugën e popullit shqiptar drejt lirisë dhe emancipimit. Shqiptarët gjatë historisë së tyre, nuk i kanë njohur konfliktet fetare. Edhe sot ekziston një respekt i ndërsjellë midis tyre. Por, ajo që kërkohet tani është që ne si KMSH, intelektualët dhe teologët myslimanë, të posedojnë më shumë vetëdije e ndjenjë të lartë përgjegjësie për t’i drejtuar besimtarët drejt një shoqërie që shkon kah një civilizimi bashkëkohor.” – theksoi z. Spahiu gjatë fjalës së tij.

Më tej ai shtoi se ne si njerëz, jemi dërguar në këtë botë që me anë të dijes dhe besimit, të kuptojmë atë që është e vërtetë. Duke vënë re ndryshimin që ne kemi me krijesat e tjera dhe duke parë mundësitë që na janë dhënë, ne si njerëz na takon që me anë të rrugës së dijes dhe besimit të ndërtojmë botën e të vendosim paqen, dhe ky qëllim, na ngarkon me përgjegjësi të ndryshme ndaj Krijuesit të gjithësisë dhe krijesave të tjera. Islami duhet kërkuar përmes burimeve të tij dhe përfaqësuesve të vërtetë përgjatë historisë, dhe jo nëpërmjet veprimeve të një minoriteti të vogël që e shtrembëron atë. E vërteta është që në Islam nuk ka fanatizëm apo detyrim. Islami është plotësisht një fe e paqes, mirëkuptimit dhe e tolerancës.

Punimet e samitit vazhduan më tej me referime të shumta të referuesve që marrin pjesë nga e gjithë bota. Samiti do të vazhdojë punimet e tij edhe përgjatë ditës së nesërme me aktivitete të ndryshme ndërkulturore.

   

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë