Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu ndodhet në Kairo, Egjipt, ku me ftesë të Ministrit të Çështjeve Fetare të Egjiptit, z. Usama Elsayed Alazhary, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare të 35-të organizuar nga kjo ministri, me temë: “Roli i Gruas në Ndërtimin e Vetëdijes”, konferencë e cila zhvillohet nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Egjiptit, SH.T.Z. Abdulfetah el-Sisi.
Kryetari i KMSH-së, para fillimit të konferencës u prit në një takim nga Ministri Usama Elsaed Alazhary.
Gjatë takimit z. Spahiu e falënderoi për mbështjetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që Egjipti dhe ministria që ai drejton, ka me KMSH dhe vendin tonë në tërësi si dhe diskutuan për projektet që janë në zhvillim e të tjera që pritet të nisin në të ardhmen.
Gjatë punimeve të konferencës, ku merrnin pjesë personalitete dhe dijetarë, drejtues dhe përfaqësues institucionesh fetare, studiues, ministra të çështjeve fetare nga vende të ndryshme të botës, z. Spahiu ishte ndër panelistët e përzgjedhur, ku mbajti kumtesën e tij, në të cilën theksoi peshën dhe rëndësinë e rolit të gruas, sipas rregullores së fesë islame, në ndërtimin dhe përparimin e shoqërive tona bashkëkohore.
“Pavarësisht sukseseve të mëdha të arritura nga gratë muslimane, ato ende përballen me sfida të shumta, si diskriminimi midis aftësive të tyre dhe të meshkujve, përveç pengesave kulturore dhe mungesës së mundësive, të cilat i kufizojnë mundësitë e tyre për arsimim, punë dhe pjesëmarrje sociale.
Megjithatë, ka fusha të shumta për të promovuar rolin e tyre nëpërmjet edukimit, legjislacioneve mbështetëse dhe programeve të zhvillimit ku gratë duhet të depërtojnë në një mënyrë që nuk bie ndesh me parimet e fesë sonë të pastër dhe me zakonet e ligjet vendore.
Arsimi përfaqëson një mundësi të artë për gratë myslimane për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe për të shtuar mundësitë e tyre në tregun e punës dhe pjesëmarrjen në komunitet, përveç legjislacionit mbështetës që përbën një levë për t’u mundësuar grave të rrisin rolin e tyre dhe t’u mundësojë atyre të arrijnë ambiciet e tyre legjitime.
Prandaj, gratë myslimane konsiderohen si një element thelbësor në procesin e ndërtimit dhe zhvillimit të komunitetit. Roli i saj i integruar në fushën e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe politikës pasqyron potencialin e madh që zotëron.” – theksoi ai gjatë fjalës së tij.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë