Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mirëpriti në zyrën e tij një grup nxënësish nga Medreseja e Tiranës, të shoqëruar nga drejtori i tyre, z. Ndriçim Gjimi.

Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari Spahiu theksoi rëndësinë e arsimimit dhe të dijes, duke nënvizuar vlerën e veçantë që medreseja i jep kombinimit të shkencave ekzakte, shoqërore dhe mësimeve fetare. Ai i inkurajoi nxënësit të çmojnë këtë periudhë dhe eksperiencë unike.

“Studimi në Medresenë e Tiranës është një mundësi unike për të rinjtë, duke kombinuar edukimin akademik cilësor me formimin shpirtëror dhe etik. Përmes një kurrikule të balancuar, nxënësit përgatiten jo vetëm në shkencat ekzakte dhe shoqërore, por edhe në dijet fetare, çka i ndihmon ata të zhvillojnë një botëkuptim të gjerë dhe të ndjeshëm ndaj vlerave universale. Kjo qasje i pajis nxënësit me aftësitë dhe vlerat e nevojshme për t’u bërë qytetarë të ndërgjegjshëm, të përkushtuar dhe kontribuues në komunitet dhe më gjerë” – u shpreh Kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij.

Në vijim, Drejtori i Medresesë, z. Gjimi, ofroi një pasqyrë të përgjithshme të progresit edukativ të nxënësve, duke përmendur rezultatet e tyre në olimpiada kombëtare dhe ndërkombëtare.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë