Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Skender Bruçaj priti në selinë e KMSH-së Nuncin e ri Apostolik në Shqipëri, z. Charles John Brown, të cilit i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re.
Kryetari i KMSH-së, z. Bruçaj e njohu z. Charles John Brown me institucionin e KMSH-së, rolin dhe kontributin që ky institucion ka dhënë për shoqërinë shqiptare.
Nunci i ri Apostolik në Shqipëri falënderoi kreun e KMSH-së për pritjen dhe u shpreh se ishte mjaft i impresionuar nga sjellja dhe mikpritja në Shqipëri.
Ndër vendet që kishte vizituar në Shqipëri, ai veçoi xhaminë e Et’hem Beut, si një objekt kulti me një bukuri të rrallë. Ndër të tjera z. Brown vlerësoi edhe tolerancën fetare në Shqipëri. Ai vlerësoi punën dhe angazhimin e treguar nga KMSH në raport me bashkësitë e tjera fetare dhe ruajtjen e këtij aseti të çmuar.
Kreu i KMSH-së shprehu angazhimin për të bashkëpunuar me të gjithë organizmat të cilat i shërbejnë mbarëvajtjes së harmonisë dhe tolerancës ndërfetare si dhe ndikojnë pozitivisht në kohezionin social të Shqipërisë dhe rajonit.
Gjithashtu bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.
11 korrik 2017