Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj ka vizituar disa zona dhe xhami të Gjirokastrës. Në shoqëri të Myftiut të Zonës Gjirokastër ai është ndalur fillimisht në Lazarat, ku është takuar me besimtarë të shumtë, të cilët i ka vlerësuar për shembullin që kanë dhënë në moskultivimin e bimëve narkotike, duke iu mbështetur besimit në Zot dhe forcës që rrjedh prej saj.
Familjet lazaratase, jokultivuese të bimëve narkotike janë vlerësuar zyrtarisht nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Ai ka kontaktuar me përfaqësues të atyre familjeve lazaratase, që nuk iu bashkuan masivizimit të mbjelljes së bimëve narkotike, ashtu si qindra familje të tjera në këtë fshat.
Fillimisht kryetari Bruçaj ka vizituar xhaminë e fshatit, ndërsa ka zhvilluar edhe një takim me kreun e Komunës Lazaratit z. Dashmir Aliko, kryepleqësinë e fshatit, si dhe besimtarë të tjerë myslimanë në Lazarat.
“Ne si Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe unë personalisht, përshëndesim një grup familjesh myslimane të këtij fshati, të cilët në emër të besimit tek Zoti, nuk kultivuan bimë narkotike”, – i është drejtuar Bruçaj, kryekomunarit lazaratas, si dhe besimtarëve të pranishëm në ceremoninë e pritjes në xhaminë e fshatit.
Gjatë fjalës së vet kryetari ka shprehur mbështetjen për banorët e Lazaratit dhe zhvillimin e fshatit.
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të mbështesë banorët e fshatit Lazarat, duke shërbyer si pikë kontakti për projekte të ndryshme zhvillimi, që mund të zbatohen në këtë fshat”.
Sipas mediave, që në fillim të operacionit të Policisë së Shtetit, mjaft familje u vetidentifikuan si besimtarë myslimanë, të cilët në emër të besimit dhe të fesë kishin zgjedhur të distancoheshin nga veprimtaria e jashtëligjshme e kultivimit të drogës në fshatin e tyre. Vizita e kreut të Komunitetit Mysliman është e para lëvizje zyrtare në këtë fshat, sa i përket mbështetjes së banorëve besimtarë dhe distancimit të tyre nga mbjellja e drogës në emër të besimit dhe të fesë.
Përgjatë vizitës së kreut të KMSH-së në Lazarat është gjendur edhe një grup xhirimi i rrjetit më të madh televiziv arab Al-Jazeera. Përfaqësues të këtij grupi xhirimi kanë pohuar se ardhja e tyre në Lazarat, ka për qëllim, realizimin e një dokumentari i cili do të ketë në epiqendër, Lazaratin e pasndërhyrjes së Policisë së Shtetit.
“Veçantia e dokumentarit është se tashmë ai paraqet një fshat normal ku njerëzit e sigurojnë jetën me punë të ndershme. Në dokumentarin tonë ne do t’i kushtojmë një vend të veçantë grupit të besimtarëve në këtë fshat të cilët nuk kultivuan bime narkotike”,- pohuan pjesëtarët e grupit të xhirimit të Al Jazeera.
Kryetari i KMSH-së z. Skender Bruçaj ka vizituar gjithashtu edhe xhaminë e Libohovës, atë në ndërtim të Bulosë, si dhe ka folur rreth zhvillimeve dhe problematikave që ka zona e Gjirokastrës.
Lazarat, Gjirokastër
Libohovë