[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=MQP3paiKeXQ&feature=youtu.be” width=”560″ height=”315″]
Bismil-lahi Rrahmani Rrahim!
Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Të nderuar besimtarë shqiptarë, kudo që ndodheni!
Më lejoni që në këto çaste të gëzuara të festës se Fitër Bajramit, këtij momenti të gëzimit dhe të lehtësimit shpirtëror, t’ju përcjell urimet e mia më të sinqerta dhe të përzemërta, për një jetë sa më të lumtur, për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo sferë të jetës; me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar adhurimet dhe sakrificën tonë.
Ne përcollëm me përmallim Muajin e Bekuar të Ramazanit, një mysafir i shtrenjtë, por që vetëm një herë në vit vjen. Na zbukuron me ngjyrat e tij të bukura dhe pastaj largohet pasi të ketë zbatuar detyrën. Kështu sot me gëzim të natyrshëm po i urojmë mirëseardhjen Fitër Bajramit.
Të gjithë besimtaret myslimanë mbartin në zemrat e tyre shpresën se Zoti i Madhëruar na ka pranuar agjërimin, namazet, lutjet dhe duatë, leximet e Kur’anit, si dhe netët e kaluara me adhurim e përkushtim vetëm për hir të Tij.
Bajrami është simbol i paqes, i gëzimit, i harmonisë, i qetësisë shpirtërore, moment i lartësimit të Allahut dhe koha e shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit, që është edhe qëllimi final për çdo besimtar.
Duke përfituar nga përkujdesja e veçantë hyjnore, që Zoti i madh ka ndaj nesh në ditët e Bajramit, unë i lutem Atij dhe ju ftoj edhe ju t’i lutemi së bashku për më shumë paqe, begati gëzim e harmoni, për shuarjen e luftërave dhe konflikteve anë e mbanë globit.
I lutem gjithashtu Allahut t’i mbushë zemrat tona me ndjenja të dashurisë, dhembshurisë, respektit dhe mirënjohjes.
O Zoti ynë! Jepi begati, mirësi, paqe e qetësi shoqërisë sonë dhe atdheut tonë Shqipërisë, e bashkë me të mbarë njerëzisë.
Gëzuar e përshumvjet Fitër Bajramin.
Zoti e begatoftë çdo ditë tuajën.
Amin!