Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Arqipeshkvi i Tiranë – Durrës, Imzot George Frendo uroi Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiun me rastin e zgjedhjes së tij në krye të këtij institucioni, gjatë vizitës së sotme që Imzot George Frendo së bashku me Sekretarin e përgjithshëm të Kishës Katolike, Don Henry, zhvilluan në selinë e KMSH-së.

Gjatë bashkëbisedimit, Imzot George Frendo, vlerësoi punën e deritanishme të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në ruajtjen dhe forcimin e harmonisë dhe dialogut ndërfetar në Shqipëri. Ai vlerësoi gjithashtu vendosmërinë e Kryetarit Spahiu për ta vazhduar më tej këtë traditë.

Më tej, Kryetari i KMSH-së z. Spahiu, pasi i falënderoi të pranishmit për vizitën dhe urimet e tyre për zgjedhjen e tij si kryetar të këtij institucioni, i inkurajoi ata për ta vazhduar më tej frymën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të tjera fetare në të mirë të shoqërisë në të cilën jetojmë.

Bashkëbisedimi ndërmjet tyre vazhdoi më tej duke prekur një sërë tematikash të ndryshme të aktualitetit në vendin tonë.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë