Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta shtroi një darkë iftari me rastin e Muajit të Ramazanit. I ftuar në këtë iftari ishte Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj, anëtarë të kryesisë së KMSH-së, përfaqësues të lartë nga të gjitha komunitetet e tjera fetare në vendin tonë dhe deputetë.
Kryetari i Komunitetit Mysliman z. Brucaj falenderoi kreun e parlamentit për iftarin dhe respektin ndaj sakrificës së agjëruesve. Ai shtoi më tej se softat e iftarit janë vendet ku bashkohen njerëzit me dashuri dhe respekt për njeri-tjetrin, duke shtuar kështu harmoninë midis tyre.
Ndërsa z. Meta në përshëndetjen që bëri para të pranishmëve, u shpreh se Muaji i Madhnueshëm i Ramazanit na kujton të gjithëve forcën e shenjtë të sakrificës dhe durimit, dritën e virtytit dhe vlerave njerëzore.
“Muaji i Madhnueshëm i Ramazanit na kujton të gjithëve forcën e shenjtë të sakrificës dhe durimit, dritën e virtytit dhe vlerave njerëzore, peshën e modestisë dhe shërbesës, ndihmën dhe solidaritetin ndaj më të dobëtëve, vlera të cilat, në këtë botë të turbullt, me kaq shumë dhembje e humbje, me kaq pasiguri, janë një nga rrugët më të sigurta drejt shpëtimit dhe ndryshimit për mirë të vetë botës. Sepse qëllimi i tij është pastrimi i zemrës, shpirtit, moralit dhe triumfi mbi të keqen, veset e të shëmtuarën. Edhe shoqërinë tonë. Në luftë me vesin, në përpjekje me hakmarrjen, në kundërshti me pangopësinë e cinizmin shpesh egoist të qytetarit të sotëm kinse modern ne të gjithë mund të ndryshojmë. Muaji i Madhnueshëm i Ramazanit na kujton se Zoti urdhëron për bamirësi, se Zoti i do ata që falin, ata që dinë të pendohen dhe ata që dinë të durojnë”, tha z. Meta.
24 Korrik 2014