selim muca konference

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë mbi tolerancën dhe mos-diskriminimin, të organizuar nga zyra e OSBE-së në Shqipëri.

Në këtë konferencë që filloi dje dhe do të vazhdojë në dy ditët në vazhdim,  studiues dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Evropës priten të diskutojnë çështje të luftës ndaj nacionalizmit agresiv, ksenofobisë, racizmit dhe diskriminimin e personave për shkaqe fetare dhe të tjera. Në qendër të kësaj konference është edhe shkollimi i të rinjve me vlerat e një të ardhme të përbashkët ku mbizotëron paqja, ku të drejtat e njeriut dhe liritë themelore respektohen dhe ku diversiteti vlerësohet.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça u shpreh:

“Kam kënaqësinë që përshëndes sot në emrin tim dhe të gjithë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, këtë eveniment ndërkombëtar, organizuar nga OSBE, i cili ka mbledhur përfaqësues nga e gjithë bota, për të folur në lidhje me tolerancën dhe anti-diskriminimin.

Unë mendoj se nuk është rastësi, që prej vitesh organizohen në vendin tonë konferenca të tilla. Sot kur në botë ka akoma intolerancë dhe diskriminim, Shqipëria, vendi ynë i dashur, prej shekujsh përjeton një tolerancë dhe bashkëjetesë në harmoni midis besimeve, etnive dhe kulturave të ndryshme. Nëse ne i shtojmë kësaj bujarinë, besën dhe mikpritjen tradicionale shqiptare, shohim se me të vërtetë dhe brenda modestisë mund të pohojmë me plot gojë se, përbëjmë një gur të veçantë rrezatues me vlerat tona, në mozaikun botëror. Këto vlera janë arritur nëpërmjet mësimeve të shenjta, që na japin librat tonë hyjnorë dhe në rastin tonë Kur’ani dhe Tradita Profetike, që na urdhërojnë për paqe, harmoni dhe bashkëjetesë.

Të parët tanë, të urtë dhe të mençur nuk e politizuan fenë asnjëherë për qëllime nacionaliste dhe intolerance ndaj tjetrit. Prijësit tanë ushqyen vetëm virtyte dhe mirësi, duke na lënë neve sot këtë trashëgimi të madhe.

Në shumë qytete tona, do të shohim se prej shekujsh xhamia, kisha, sinagoga dhe teqeja, janë pranë njëra-tjetrës dhe bashkëjetojnë, duke e ruajtur harmoninë nga rrezatimi i dëmshëm, që lëshon provokimi dhe intoleranca, që asnjëherë nuk gjeten terren në Shqipëri.

Shqiptarët në fakt janë një popull ku bashkëjetojnë të dyja fetë abrahamike, Krishterimi dhe Islami, të cilat prej shekujsh jetojnë sëbashku, duke besuar Zotin si Një dhe të vetëm.

Populli shqiptar me besimin islam dhe të krishterë ka qenë, është dhe duhet të jetë shembull i veçantë dhe simbol i harmonisë fetare në historinë e popujve të Ballkanit, Europës dhe më gjerë.

Si vëllezër nga gjaku, por edhe si myslimanë e të krishterë, duhet të kuptojmë njëherë e përgjithmonë, se realiteti dhe fati, jo vetëm i yni, por i gjithë botës, që nga fillimi deri në mbarim të saj, është larmi besimesh e bindjesh. Shqiptarët nuk do të kenë përçarje fetare përderisa të besojnë se fetë në Shqipëri janë pasuri e jo fatkeqësi dhe se Zoti i vetëm është për të gjithë i njëjtë, për myslimanë e të krishterë.

Sigurisht që, tradita e tolerancës ndërfetare tek shqiptarët, nuk është diçka e formuar në kohët moderne, por një traditë që vjen nga thellësia e shekujve, por këto vlera nuk janë të përjetshme, ato duhen ruajtur e trashëguar në mentalitetin e njerëzve.

Shqipëria ka një diskurs ndërkulturor, por kjo larmi është pasuri që duhet ruajtur dhe jo rrezik që duhet eliminuar.

Kështu që, pavarësisht me çka ndodh sot në mbarë globin, ne mund të themi me bindje, se botës sonë mund t’i kërcënohen jo pak rreziqe, por vetëm rreziku i përplasjes së qytetërimeve nuk duhet të ekzistojë. Forcat e errëta, bartëse të rreziqeve, që i kërcënohen aktualisht botës, nuk janë pjesë e asnjë qytetërimi të sotshëm.

Së fundmi, ne i bëjmë thirrje Europës së demokracisë, që ta promovojë sa më shumë këtë model të shkëlqyer të harmonisë dhe mirëkuptimit ndërfetar, që gjendet në Shqipëri prej shekujsh, dhe të mos lejojë që të nxiten ndjenja urrejtjeje, ksenofobe dhe diskriminuese ndaj qytetarëve të vet myslimanë. Kriza më e madhe që shohim ne sot, është kriza e besimit. Prandaj krahas mirëqenies ekonomike dhe materiale, shoqëritë tona kanë nevojë për më shumë besim dhe rrugë të lira drejt besimit në Zot.”

22.05.2013

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë