krutari takim me ministrin turk  (1)

Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça, zhvilloi një takim me  ministrin e Shëndetësisë të Republikës së Turqisë, z. Mehmet Müezzinoglu dhe kryetarin e bashkisë Bajram Pasha të Stambollit, Atila Aydıner.

Kryetari H. Selim Muça, pasi uroi përzemërsisht ministrin Müezzinoglu, për vizitën në Shqipëri, e njohu në vija të përgjithshme me veprimtarinë e Komunitetit Mysliman në këto dy dekada. Kryetari vlerësoi kontributin e Turqisë si shtet dhe si popull në ndihmë të shtetit dhe popullit shqiptar, dhe veçanërisht ndaj komunitetit mysliman, kur u shpreh se: “Shqipëria dhe populli shqiptar i janë mirënjohës Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer gjatë këtyre viteve.”

Ndërsa ministri Müezzinoglu vlerësoi arritjet e shumta të Komunitetit Mysliman si institucion i rëndësishëm në jetën  e shqiptarëve, duke theksuar se:  “Institucioni që ju drejtoni ka një mision të vështirë dhe tepër delikat. Prandaj ju duhet të ndiheni krenarë në detyrën tuaj fisnike, sepse gjithçka që bëni është një investim i madh dhe tepër i dobishëm për shoqërinë, e sidomos për brezin e ri.”

Ministri Müezzinoglu vlerësoi në të njëjtën kohë bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm mes dy komuniteteve myslimane, i konkretizuar me vizita të shpeshta shkëmbimi dhe përvoje, kualifikim të kuadrit fetar, por edhe me konferenca e aktivitete të shumta fetare, kulturore e sociale.

“Unë sot mora pjesë në një iftar të madh të organizuar në Tiranë, – tha ministri Müezzinoglu, – dhe me këtë rast dua të vlerësoj mbështetjen tuaj si komunitet, por edhe të qeverisjes qendrore e asaj vendore për pritjen e ngrohtë dhe ndihmën e ofruar në realizimin me sukses të këtij aktiviteti. Për këtë do të dëshiroja që marrëdhëniet mes dy shteteve të forcohen në ditët në vazhdim, duke i kontribuar kështu miqësisë së dy popujve dhe afrimit të qytetarëve tanë.”

Në takim ishin të pranishëm edhe Nënkryetari Gazmend Aga dhe Kancelari Ali Zaimi.

18/07/2013

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë