Brucaj - Veliaj  (1)

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, priti sot në një takim ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erjon Veliaj.

Ministri Veliaj i uroi suksese kryetarit Bruçaj në kryerjen e këtij misioni të lartë dhe vlerësoi procesin e djeshëm zgjedhor si një model edhe për politikën shqiptare. “Ju uroj për detyrën e re dhe shpreh vlerësimin tim maksimal për zgjedhjet e djeshme të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman, të cilat ishin një model edhe për politikën shqiptare. Islami në Shqipëri ka qenë dhe është model edhe për vendet e tjera të rajonit”, u shpreh ministri Veliaj.

Kryetari Bruçaj i shprehu ministrit Veliaj vlerësimin dhe mirënjohjen për punën e tij në krye të dikasterit që ai drejton. Ai falënderoi gjithashtu qeverinë shqiptare për kontributin dhe bashkëpunimin e saj me KMSH-në.

Z. Bruçaj premtoi se bashkë me stafin që ai drejton do të jenë të përkushtuar në shërbimin ndaj besimtarëve myslimanë si dhe në aspiratat e vendit për integrimin europian.

Nga ana e tij ministri Veliaj e siguroi kryetarin Bruçaj për përkushtimin në zgjidhjen e çështjeve që do t’i hapin rrugë ndërtimit të Xhamisë së Madhe të Tiranës. “Jemi të përkushtuar t’i zgjidhim këto çështje dhe të nisim sa më shpejt ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, e cila është një nevojë e jashtëzakonshme e komunitetit mysliman për të patur një hapësirë të shprehjes së besimit”, deklaroi z. Veliaj.

Ndërsa z. Bruçaj theksoi se ky projekt është ëndrra e të gjithë myslimanëve shqiptarë. “Kam fatin të kem shembullin e një tradite të mrekullueshme të kryetarëve që kanë drejtuar më parë Komunitetin Mysliman. Me zgjidhjen e disa problemeve të vogla dhe mbështetjen e qeverisë besoj se jemi më afër se kurrë realizimit të projektit të xhamisë”, tha z. Bruçaj.

Z. Veliaj shprehu vlerësimin e tij për ish-kryetarin e KMSH-së H. Selim Muça, për përgjegjësinë dhe përkushtimin e tij në ushtrimin e detyrës dhe kontributin e vlefshëm në konsolidimin dhe çuarjen përpara të institucionit gjatë këtyre viteve.

Në takim morën pjesë drejtues të lartë të KMSH-së, si dhe kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Ilir Hoxholli.

9 Mars 2014

Brucaj - Veliaj  (2)

Brucaj - Veliaj  (5)

Brucaj - Veliaj  (3)

Brucaj - Veliaj  (4)

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë