Me ftesë të Kryetarit të BFI Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu mori pjesë në konferencën shkencore “”Hëna e Re” – 35 vjet mes sfidave dhe suksesit”.

Më poshtë ju ftojmë të lexoni fjalën e kryetarit Spahiu në konferencë:

I nderuar Reis Ulema Shaqir ef. Fetahu, i nderuar kryeredaktor i revistës “Hëna e Re”, gazetarë, redaktorë e analistë të saj ndër vite, profesorë e pjesëmarrës në këtë konferencë.

Është kënaqësi e veçantë për mua të ndodhem sot këtu mes jush në këtë përvjetor të 35-të të revistës “Hëna e Re”, botim zyrtar i Bashkësisë Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Shpeshherë bëhet pyetja: Përse shërbejnë në thelb revistat fetare dhe ç’rëndësi apo çfarë misioni kanë, kur në të vërtetë produkti i saj është Kurani dhe librat e haditheve apo komentet e dijetarëve?

Njëra përgjigje mund të jetë se, libri është baza, është mjedisi dhe atmosfera e mbirjes së filizit. Pra, është ajo fara e parë.

Porse, nga ana tjetër, ka një nevojë të përhershme për të zbërthyer fluksin intelektual e shpirtëror që buron nga libri, dhe këtë gjë e plotësojnë revistat e mirëfillta shkencore, siç është rasti i revistës “Hëna e Re”. Nëpërmjet informacionit që përcillet nëpërmjet revistës, si editoriale, shkrimet, komentimet e ajeteve kuranore e haditheve, bëhet i mundur kristalizimi dhe përçimi i fesë te besimtarët e kategorive të ndryshme kulturore e intelektuale.

Në çdo libër ka gjithmonë gjëra që nuk janë lehtësisht të kuptueshme nga kushdo. Për të “korrigjuar” këtë pamundësi të të kuptuarit të librave nga kushdo, për arsye objektive, duhet të shërbejë revista, ajo ka një mision të ngjashëm me atë të një imami, apo ligjëruesi në xhami.

Revista dallohet nga libri njëlloj siç dallohet thellësia e një liqeni me thellësinë e detit.

Botimi i një reviste në mënyrë periodike i përgjigjet gjykimeve më imediate, dyshimeve të shpeshta, kureshtjes së vazhdueshme të besimtarit dhe çdo qytetari.

Revista fetare paraprin, parashikon, zbulon dhe polemizon, madje përgatit edhe përkthyesit dhe shkrimtarët e së nesërmes që mund të botojnë libra në lëmin fetar.

Kur është fjala për fushën e letrave, botimeve, revistave etj, 35 vite vazhdimësi janë goxha shumë dhe ky është një moment për të përgëzuar të gjithë kontribuesit që nga dita e parë deri në ditët e sotme.

Nuk është punë aspak e lehtë botimi në mënyrë periodike i një reviste me informacion fetar.

Por, edhe shpërblimet e secilit kontributor inshAllah janë të pa mata, sespe këtu bëhet fjalë për davanë tonë, për islamin. Çuarja e mesazhit të drejtë e të pastër të fesë te besimtarët dhe jo vetëm, është një shërbim i jashtëzakonshëm.

Revista Hëna e Re ka shërbyer si tribun ku janë shpalosur njohuritë dhe dijet e personaliteteve të ndritura të Islamit në RMV, Shqipëri e Kosovë, por edhe më tej.

Për mbyllje, duke i uruar jetëgjatësi revistës tuaj, do shtroja edhe një kërkesë për botuesit e saj dhe sigurisht do t’ia sugjeroj edhe botuesve të revistave të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Zani i Naltë dhe Drita Islame, për një bashkëpunim më të ngushtë mes jush.

Është shumë i nevojshëm shkëmbimi i informacionit kulturor dhe fetar mes nesh.

Ju falënderoj edhe njëherë për ftesën dhe ju uroj shumë suksese më tej!

    

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë