Delegacioni kryesohej nga Z. Al-Sayed Ali Al Hashim, Këshilltar i Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe për Çështjet Fetare dhe Gjyqësore, i shoqëruar nga Z. Hasan Alhammadi dhe Z. Saeed Alkuwaiti. Ata u shoqëruan nga përfaqësues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, përfshirë themeluesin e AIITC-së, Dr. Ramiz Zekaj, drejtorin e AIITC-së, Dr. Ardian Muhaj, dhe kryetarin e Bordit Drejtues, Dr. Faruk Borova.
Gjatë takimit, Kryetari i KMSH-së i njohu me historikun e institucionit, veprimtarinë e tij fetare, projektet, institucionet arsimore dhe ndikimin në shoqërinë shqiptare. Ai vlerësoi rëndësinë e kësaj vizite për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Ndërsa, Z. Al Hashim falënderoi Kryetarin Spahiu për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave në promovimin e vlerave fetare dhe kulturore si dhe shtoi se ky takim përbën një mundësi të shkëlqyer për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet institucioneve të dy vendeve.
Gjatë takimit, u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave në promovimin e vlerave fetare, kulturore dhe arsimore.
Kryetari Spahiu, gjatë pritjes së delegacionit, u shoqërua nga Nënkryetari Z. Lauren Luli, drejtori i Kabinetit Z. Aurel Çani dhe Koordinatori për Marrëdhëniet me Botën Arabe, Z. Ermir Gjana.
Kjo vizitë shënon një hap të mëtejshëm në ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, duke hapur mundësi të reja për iniciativa të përbashkëta ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.