
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me qendrën Mbreti Selman për Bamirësi dhe Ndihma Humanitare dhe me koordinimin e ambasadës së Arabisë Saudite në Tiranë, zhvilluan ditën e sotme në ambientet e KMSH-së, ceremoninë e inaugurimit të projektit të dhurimit të 25 ton hurmave arabe nga Mbreti i Arabisë Saudite, Selman Bin AbdulAziz.
Në këtë ceremoni, morën pjesë, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Fajsal Gazi Hifdhi, z. Falih bin Abdullah es-Sebi’I, Drejtor projektesh pranë qendrës KS Relief, si dhe përfaqësues të tjerë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe ambasadës së Arabisë Saudite në Tiranë.
Në fjalën e tij te rastit, kryetari Spahiu shprehu vlerësimet dhe falenderimet më të sinqerta për të gjithë ata që i dhanë jetë këtij projekti.
Ndërkohë, Ambasadori Hifdhi, pasi falënderoi të gjitha palët që bënë të mundur realizimin e kësaj nisme, u shpreh se projekte të tilla të vazhdueshme janë tregues i marrëdhënieve të forta ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.
Në fund, mbajti një fjalë përshëndetëse edhe përfaqësuesi i qendrës KS Relief i cili theksoi fokusin e organizatës së tij në zgjerimin e këtyre projekteve në vendin tonë nëpërmjet bashkëpunimit me KMSH dhe bashkërendimit me Ambasadën Saudite.
Ky projekt, i kthyer tashmë në traditë disa-vjeçare, thekson angazhimin e përbashkët për solidaritet dhe mirëqenie, duke forcuar më tej marrëdhëniet mes institucioneve të përfshira.












