Krerët më të lartë të shtetit vizituan sot selinë e Komunitetit Mysliman ku përcollën edhe urimet me rastin e Kurban Bajramit.
Në mesazhin e tij të urimit kryeministri Edi Rama, shprehu urimet besimtarëve myslimanë për Kurban bajramin dhe nderimet më të veçanta për personalitetet islame shqiptare. Kryeministri Edi Rama ka garantuar besimtarët myslimanë për ndërtimin e xhamisë. “Kënaqësi që për herë të parë si kryeministër urova gëzuar këtë ditë kaq të shënuar mikut tim Selim Muça dhe përfaqësuesve të lartë të Komunitetit Mysliman, folëm për xhaminë e re dhe i sigurova dhe njëherë që nga një pallat me xhami do kemi një xhami pa pallat dhe familjarisht do të jemi dhe ne në radhën e donatorëve modestë të këtij tempulli, ku jam i bindur që së bashku do të ngremë një tjetër pikë referimi të munguar për besimtarët myslimanë. Pikë referimi që investimin do të kthejmë në një vlerë të shtuar arkitektonike dhe urbanistike në një zonë ku do të shtohet një xhami, por me ndryshimin e bërë nuk do të humbasë i gjithë parku” u shpreh Rama.
Ndërsa kreu i Kuvendit Ilir Meta kërkoi më shumë solidaritet dhe bashkim mes shqiptarëve. “Uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar kurban Bajramin. Më shumë solidarit me njëri tjetrin dhe sidomos me atë që jetojnë në kushte të vështira, më shumë përfshirje dhe më shumë bashkim” tha Meta.
Edhe kreu partisë demokratike, njëkohësisht edhe kryetari i bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit gjatë vizitës së tij në Komunitetin Mysliman. “Çdo besimtari myslimanë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe të gjithë shqiptarëve kudo në botë dua t`u uroj gëzuar Kurban Bajramin. Kjo ditë sjelltë sa më shumë gëzim, hare, shëndet dhe harmoni, për secilin prej jush, dhe për çdo shqiptar. Kjo është një ditë ku kremtohet dashuria për zotin dhe njëri-tjetrin, si një forcë më e madhe se dashuria për vetveten. Si kjo ditë duhet të kujtojmë, se janë aktet e mira jo me qëllim përfitimi personal por për familjen, miqtë, shoqërinë dhe mbarë vendin. Dua të falënderoj me këtë rast të gjithë besimtarët, imamët dhe klerin që bënë të mundur kremtimin e kësaj feste edhe në kushte jo të mira moti ”, theksoi Basha.
Ndërsa presidenti i vendit, Bujar Nishani ka uruar përmes një mesazhi gjithë besimtaret myslimane për festën e Kurban Bajramit.
“Gëzuar këtë festë që na sjell çdo herë në vëmendje gjënë më madhore të Jetës; Dashurinë e Zotit ndaj njerëzve, mëshirën e Tij të pakufishme ndaj tyre, si dhe detyrimet që rrjedhin prej kësaj Dashurie dhe asaj mëshire.
Kurban Bajrami, kjo festë e bukur myslimane, përcjell shumë mesazhe të epërme përmes një veprimi në dukje të thjeshtë, por jashtëzakonisht të dendur në thellësi;
Bërjen Kurban të diçkaje, në emër të arritjes së diçkaje tjetër më të lartë.
Akt ky, që, i përsëritur, përmban në vetvete thelbin e progresit njerëzor, hapat e njëpasnjëshëm drejt përsosjes duke sakrifikuar nga pak në çdo hap dhe në çdo rast. Mposhtja e egoizmit, të kuptuarit e efektit rrënues të mendjemadhësisë, frenimi i materializmit, arritja e vetëkontrollit gjatë udhës plot peripeci dhe plot rreziqe të Jetës, duke synuar në këtë mënyrë gjithmonë barazinë, vëllazërimin, paqen, begatinë, janë në themel të të kuptuarit të Kurban Bajramit.
Kumti madhështor që na sjell Kurban Bajrami na bën ta festojmë çdo herë me më tepër adhurim këtë festë të shenjtë, të cilën edhe një herë ua uroj me gjithë shpirt; Gëzuar!”, uroi presidenti Nishani.
Vizitat në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë kanë vazhduar deri në orën 13: 00 ku përfaqësues të politikës, trupit diplomatik, përfaqësues të besimeve të tjera fetare, miq dhe besimtarë përcollën mesazhe urimi me rastin e kësaj feste të rëndësishme për myslimanët shqiptarë dhe të mbarë botës.
/Drita Islame/
15 Tetor 2013