Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Tiranë, zhvilluan sot konferencën hapëse të fazës së tretë të projektit: “Angazhimi i të rinjve për ndërtimin e një komuniteti të qëndrueshëm”.
Ky projekt, mbështetet financiarisht nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë dhe konsiston në zhvillimin e një sërë aktivitetesh sociale e kulturore, trajnime, takime të drejtpërdrejta, seminare apo workshope me të rinj në mbarë territorin e vendit tonë.
Në konferencën hapëse të kësaj faze të projektit, të zhvilluar sot në ambientet e “Hotel Tirana”, ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, znj. Yuri Kim, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. z. Vincenzo Del Monaco, zv. Ministrja e Arsimit në Shqipëri, znj. Albana Tole, zv. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Albert Dervishaj, Drejtoresha e Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri, znj. Lejdi Dervishi, Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve, z. Klodjan Bulku, si dhe myftij, imamë, administratorë xhamish, studentë teologjie, etj.
Pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe Ambasadën e SHBA-ve për zhvillimin e projektit të 3-të radhazi në promovimin e tolerancës fetare dhe mirëkuptimit, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, theksoi punën e vazhdueshme të të gjithë aktorëve dhe qëndrimin e koherent që ka mbajtur Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ndër vite për këto fenomene.
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë i pari institucion shqiptar në rajon dhe më gjerë, që ka dënuar dhe ka bërë thirrje kundër nxitjeve për t’u bërë palë me konflikte të cilat nuk i përkisnin vendit tonë. Kemi marrë shumë kosto asokohe, pasi qartësia nuk ishte si sot, po ja ku jemi, koha na ka dhënë të drejtë neve. Jo rastësisht jemi edhe në një partneritet kaq të ngushtë me vendin lider në botë sa i përket lirive dhe të drejtave njerëzore, SHBA.” – tha ai gjatë fjalës së tij.
Ndërsa Ambasadorja e SHBA-së, znj. Kim, theksoi rëndësinë e këtij programi me të rinjtë dhe vlerësoi punën e vazhdueshme të KMSH-së në edukimin e brezave të rinj me frymën e duhur të bashkëjetesës në shoqërinë shqiptare.
“Që nga viti 2014, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka bashkëpunuar ngushtë me Ambasadën e SHBA-së, për të kundërshtuar ekstremizmin e dhunshëm me projekte si ky që rinism sot, në brendësi të të cilit punohet ngushtë me target grupet e paracaktuara nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme kulturore e sociale, edukative dhe informuese.” – u shpreh ajo.
Më tej, rinisjen e këtij projekti në fazën e 3-të radhazi e përshëndetën gjithashtu edhe të lartëpërmendurit.
Zv. Ministrja e Arimit tha se aktiviteti i sotëm është i një rëndësie thelbësore në rrugën e krijimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të nismave në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Ndërsa Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, u shpreh se të rinjtë janë e ardhmja e çdo kombi, si të tillë, ne nuk duhet të lejojmë kurrsesi të bien pre e axhendave ekstremiste, prandaj aktivitete të tilla janë jetike për të ardhmen e vendit.
Zv. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pasi përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi KMSH-në dhe Ambasadën e SHBA-ve për nisma të tilla kuptimplota, parashtroi ndryshimet e reja në legjislacion dhe angazhimin e institucionit që ai përfaqëson në parandalimin e përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm në shoqërinë tonë.
Së fundmi, znj. Dervishi, shpaloi mbështetjen e institucionit të saj ndaj këtij projekti, që nga faza e parë e zhvillimit të tij e deri më sot, duke bërë një rezyme të rezultateve të kaluara dhe një krahësim me pritshmëritë që pritet të përmbushen nga faza e cila lançohet sot.
Në fund të konferencës, të pranishmit u bënë pjesë e koktejlit të organizuar me këtë rast.