Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) është bashkësi fetare, jo politike, i pavarur nga shteti, i cili përbëhet nga të gjithë besimtarët myslimanë me banim në territorin e Republikës së Shqipërisë, që pranojnë parimet themelore të fesë Islame. KMSH vepron si person juridik me anë të organeve të veta të parashikuara në ligj, në aktin e themelimit si edhe në statutin e tij.

Për realizimin e qëllimeve dhe objektivave të tij, KMSH ka të drejtë të ndërtojë xhami, objekte kulti dhe objekte të tjera në funksion të tyre, brenda të cilave kryhen ceremoni e rite fetare. Po ashtu, KMSH ka të drejtën të hapë edhe qendra kulturore për menaxhimin dhe administrimin e duhur të xhamive dhe objekteve të kultit në pronësi të saj.

Me përfundimin e ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë dhe kompleksit të saj përreth, objektiv i cili tashmë është realizuar me sukses, KMSH dëshiron që këtë objekt kulti ta çelë dhe vërë në përdorim për besimtarët myslimanë në afatet më të mira.

Duke qenë se Xhamia e Namazgjasë do të jetë xhamia më e madhe e vendit, KMSH, jep dakordësinë dhe miraton që ky objekt kulti të administrohet nëpërmjet një fondacioni i cili do të jetë autoriteti i vetëm në këtë aspekt dhe do të ketë si qëllim të veçantë të tij marrjen përsipër të menaxhimit, administrimit, funksionimit dhe përdorimit pa afat të xhamisë si edhe të kompleksit përreth saj, (i përbërë nga parkingu, dyqanet, restorantet, biblioteka, sallat shumë-funksionale, klasat, shatërvanet, abdesthane, kopshtet dhe oborri i xhamisë).

Fondacioni themelohet si një organizatë jofitimprurëse bazuar në ligjin nr. 8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”, i ndryshuar, si edhe ligjin nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse” dhe merr emrin “Fondacioni i Xhamisë së Namazgjasë”, ai organizohet në përputhje me aktin e themelimit dhe statutin.

Fondacioni udhëhiqet nga Kryetari i Fondacionit, i cili është Myftiu i Tiranës.  Kryetari i Fondacionit ka të drejtën të përfaqësojë Fondacionin përpara të tretëve si dhe të drejtën për të firmosur çdo akt që ka të bëjë me regjistrimin. Detyrat dhe kompetencat e tjera janë parashikuar në statutin e Fondacionit.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë