Myftinia e Lezhës organizoi një program në përkujtim të shembullit universal të njerëzimit, Profetit Muhamed a.s.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Ali Zaimi, i pranishëm në aktivitet u shpreh se nevoja për besim është një nevojë që ka për ta shoqëruar njerëzimin deri në ditën e fundit, prandaj, – sipas nënkryetarit Zaimi, – është shumë e rëndësishme që këtë nevojë ta përmbushim me mësimet e vërteta të transmetuara prej Profetit Muhamed a.s, dhe profetëve të tjerë, Isait, Musait, Ibrahimit.
“Ne kemi nevojë gjithmonë për modelin e Profetit. Ai është burim frymëzimi për çdo epokë, çdo brez, çdo kulturë e çdo popull. Ai erdhi t’i njohë njerëzit me Allahun, t’i shpëtojë nga çdo lloj skllavërie fizike, mendore e shpirtërore”, theksoi z. Zaimi.
Ndërsa Kryevaizi, z. Lauren Luli, tha se në çdo rast në historinë e njerëzimit, kur ka pasur luhatje, është ndjerë nevoja e një rrugëdalje dhe rrugëdalja për ne ishte ardhja e Profetit Muhamed.
“Ndërkohë kur shoqëria ishte në krizë të thellë të moralit, ku mungonte drejtësia, paqja, dashuria, harmonia, solidariteti dhe vlerësimi i njeriut, Profeti Muhamed a.s. erdhi si shpresë dhe si një dorë e cila do t’i rregullonte problemet me lehtësinë me të madhe.”, tha z. Luli.
Ndërkohë në fjalën e tij të mirëseardhjes Myftiu i Lezhës, z. Agim Tereziu, u shpreh se Profeti Muhamed a.s., është shembulli universal i njerëzimit dhe i të gjitha kohërave, shembulli për të cilin çdokush ka nevojë.
Programi i përshëndet edhe nga nënkryetari i Bashkisë së Lezhës.
Gjatë programit u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër mbi historinë e jetës së Profetit.
Në aktivitet morën pjesë deputetët e zonët, intelektualë si dhe dhjetra besimtarë.
7 janar 2015