Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u mblodh sot paradite në ambientet e Medresesë së Tiranës, ku ka zhvilluar mbledhjen e zakonshme për 6 mujorin e dytë të vitit 2017.
Takimi u çel me këndimin e ajeteve kur’anore nga nënkryetari i KMSH-së z. Lauren Luli.
Më pas, mbledhja e drejtuar nga kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, z. Islam Hoxha, ka vazhduar sipas rregullores statuore, me listëprezencën, rendin e ditës dhe prezantimin e raporteve.
Në fillim të mbledhjes mbajti fjalimin e rastit kryetari i KMSH-së, z. Skender Bruçaj i cili evidentoi përpara anëtarëve të KP disa çështje të karakterit administrativ dhe ekonomik.
Raporti i Kryesisë së KMSH i mbajtur nga kancelari i KMSH-së z. Ylli Cikalleshi, ka evidentuar dhe nxjerrë në pah aktivitetin e përgjithshëm të drejtorive të KMSH-së, funksionimin e instancave të institucionit në nivel qendror dhe vendor, sfidat, problemet dhe pengesat që janë hasur gjatë gjashtë mujorit të fundit.
Këshilli i Përgjithshëm u informua me vendimet që Kryesia e Komunitetit Mysliman ka marrë gjatë kësaj periudhe si dhe emërimet dhe lëvizjet e kryera gjatë këtij viti, të cilat më pas janë miratuar nga KP, së bashku me raportin e Kryesisë së KMSH-së.
Në raport u nënvizuan gjithashtu edhe disa prioritete të së ardhmes, për të bërë të mundur që institucioni i KMSH-së të jetë në nivelet më të larta të përfaqësimit dhe përgjegjësive që mbart.
Në fund të mbledhjes nënkryetarët e KMSH-së z. Bujar Spahiu dhe z. Lauren Luli, përmendën disa pika kryesore ku duhet të fokusohen myftinjtë në dobi të asaj çfarë përfaqëson secili prej tyre.
Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm dhe Myftinjtë, paraqiten problematikat që hasin dhe propozimet për projekte të reja.
18 nëntor 2017