Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u mblodh sot paradite në ambientet e Universitetit Bedër, ku ka zhvilluar mbledhjen e zakonshme për 6 mujorin e parë të vitit 2018.
Takimi u çel me këndimin e ajeteve kur’anore nga myftiu i Beratit, Baftjar Këllezi.
Më pas, mbledhja ka vazhduar sipas rregullores statuore, me listëprezencën, rendin e ditës dhe prezantimin e raporteve.
Kryetari i KMSH-së në fjalën e tij u ndal në diskutimin e disa çështjeve administrative, mënyrën e përfaqësimit të institucionit dhe organizimin e myftinive gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.
Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, z. Islam Hoxha ka lexuar raportin e myftinive dhe situatën e tyre aktuale.
Raporti i Kryesisë së KMSH i mbajtur nga kancelari i KMSH-së z. Ylli Cikalleshi, ka evidentuar dhe nxjerrë në pah aktivitetin e përgjithshëm të drejtorive të KMSH-së, funksionimin e instancave të institucionit në nivel qendror dhe vendor, sfidat, problemet dhe pengesat që janë hasur gjatë gjashtë mujorit të fundit.
Këshilli i Përgjithshëm u informua me vendimet që Kryesia e Komunitetit Mysliman ka marrë gjatë kësaj periudhe si dhe emërimet dhe lëvizjet e kryera gjatë këtij viti, të cilat më pas janë miratuar nga KP, së bashku me raportin e Kryesisë së KMSH-së.
Në raport u nënvizuan gjithashtu edhe disa prioritete të së ardhmes, për të bërë të mundur që institucioni i KMSH-së të jetë në nivelet më të larta të përfaqësimit dhe përgjegjësive që mbart.
Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm dhe Myftinjtë, paraqiten problematikat që hasin dhe propozimet për projekte të reja.