Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u mblodh sot paradite në ambientet e Medresesë së Tiranës, ku ka zhvilluar mbledhjen e zakonshme për 6 mujorin e dytë të vitit 2018.

Takimi u çel me këndimin e ajeteve kur’anore nga nënkryetari i KMSH-së z. Lauren Luli.

Më pas, mbledhja e drejtuar nga kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, z. Islam Hoxha, ka vazhduar sipas rregullores statuore, me listëprezencën, rendin e ditës dhe prezantimin e raporteve.

Në fillim të mbledhjes mbajti fjalimin e rastit kryetari i KMSH-së, z. Skender Bruçaj i cili evidentoi përpara anëtarëve të KP disa çështje të karakterit fetar, administrativ dhe ekonomik.

Raporti i Kryesisë së KMSH i mbajtur nga kancelari i KMSH-së z. Ylli Cikalleshi, ka evidentuar dhe nxjerrë në pah aktivitetin e përgjithshëm të drejtorive të KMSH-së, funksionimin e instancave të institucionit në nivel qendror dhe vendor, sfidat, problemet dhe pengesat që janë hasur gjatë gjashtë mujorit të fundit.

Këshilli i Përgjithshëm u informua me vendimet që Kryesia e Komunitetit Mysliman ka marrë gjatë kësaj periudhe si dhe emërimet dhe lëvizjet e kryera gjatë këtij viti, të cilat më pas janë miratuar nga KP, së bashku me raportin e Kryesisë së KMSH-së.

Në raport u nënvizuan gjithashtu edhe disa prioritete të së ardhmes, për të bërë të mundur që institucioni i KMSH-së të jetë në nivelet më të larta të përfaqësimit dhe përgjegjësive që mbart.

Gjatë mbledhjes drejtori i Vakf-Investimeve dhe Financave, z. Edison Hoti prezantoi para antarëve të KP-së një pasqyrë ekonomike mbi shpenzimet dhe të ardhurat në KMSH.

Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm dhe Myftinjtë, paraqitën problematikat që hasin dhe propozimet për projekte të reja.

17 nëntor 2018

   

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë