[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=0RbAEfieLzk&feature=youtu.be” width=”560″ height=”315″]

Cikli ligjëratave “Bukuritë e Besimit Islam” është ndalur këtë të mërkurë në Xhaminë e Medresesë në Tiranë, ku u fol  mbi qëllimin dhe për islamin si fe jo vetëm e besimit shpirtëror por edhe si fe e veprës dhe punës së mirë për të gjithë shoqërinë.

Pas faljes së namazit të akshamit, programi i hap më këndim Kurani nga Kryevaizi, Lauren Luli.

Ndërkohë nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, në fjalën e tij u shpreh se fjalët e librit të shenjtë Kuranit dhe ato të profetit Muhamed, janë një dritë për zemrat dhe shpirtrat tanë.

“Një dritë e cila e përçon njeriun dhe e përcjell atë, e gëzon dhe e lumturon si në këtë botë edhe në botën e përtejme, në ato rrugë të panjohura për njeriun fizikisht, por të njohura nga ana teorike, nga ana e besimit të plotë nga Zoti i lartësuar. që është i gjithëdijshëm dhe di ato çka ne publikojmë dhe ato çka fshehim në zemrat tona në mendjet tona.”, tha nënkryetari Spahiu.

Duke folur për vlerën nijetit apo qëllimit në fenë islame z. Spahiu tha se njeriu mban përgjegjësi për veprimet që ai kryen dhe se punët duhet të kryen me qëllim për të fituar kënaqësinë e Zotit.

“Veprimet që të marrin shpërblim, të përkthehen në shpërblim dhe adhurime, ato janë sipas qëllimit. Kur bëhen më emër të Zotit, jep dhe merr në emër të Zotit, duke filluar në emër të Atij.

Njeriu është krijuar në formën më të bukur nga Zoti dhe si i tillë kërkohet prej tij që punët t’i këtë të bukura, të mira me nijet të pastër dhe në përputhje me kënaqësinë e Zotit. Kënaqësia e Zotit kulmon  mbi çdo veprim, kënaqësia e Zotit dhe Mëshira e Tij është ajo që në na shtyn në xhenetet e larta.”, theksoi z. Spahiu.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe zëvendës myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili theksoi faktin se islami nuk është vetëm fe e besimit por edhe e veprës.

“Feja jonë është e besimit, jo vetëm e besimit por edhe e veprës dhe punës. Në Kuran Allahu thotë: “Ata të cilët besuan dhe bënë vepra të mira.” Besimin ne e dimë shumë mirë që është, pranim me zemër e me shpirt, është shprehje me gojë, me vepër dhe me gjymtyrë. Feja jonë është feja e punës, e optimizmit, e aktivitetit, e energjisë, nuk është feja e papunësisë, e pesimizmit apo dembelizmit. Profetët kanë qenë njerëzit më punëtorë, ashtu siç punonin për ahiret punonin edhe për dynja. Njerëzit më të devotshëm, sahabët, ishin edhe njerëzit më punëtor, dijetarët e islamit po ashtu i janë përkushtuar edhe punës në këtë botë.”, tha z. Teqja.

Në program morën pjesë dhjetëra besimtarë, për të cilët në fund u shpërnda edhe ujë zemzemi.

Uji i  Zemzemit shquhet për vetitë e tij të veçanta, që ashtu siç ka thënë profeti Muhamed, ai është ushqim për të uriturit dhe ilaç për të sëmurët.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë