Kancelari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Ali Zaimi dhe Drejtori i Thirrjes në Islam në KMSH Elvis Naçi, të ftuar në puntatën e dytë të emisionit “ME SYRIN E ZEMRËS”, kanë folur mbi kushtin e parë të Besimit (SHEHADETIN), mbi bukuritë e besimit të cilat rrjedhin prej fjalës “La il-lahe il-lallah”
Disa nga mesazhet e përcjella në këtë emision ishin:
Islami është fe e paqes, sigurisë dhe mirëqenies. Islami është feja e unitetit. Ai solli fuqishëm normat e barazisë së të drejtave themelore dhe ndaloi parimisht dhe konkretisht çdo diskriminim mbi njeriun.
Thelbi i Islamit është besim dhe bindje, përfundimi ihsan dhe sinqeritet. Besimi në një Zot, të lidhurit me zemër me Të, përmbushja e përgjegjësive me kujdesin se po sheh Atë e po vëzhgohesh prej Tij, është në vija të përgjithshme të shprehurit e të vërtetës së Islamit.
Rrënjët e Islamit janë të pafundme në kohë dhe në hapësirë, bashkëbisedues ka zemrën e njeriut, e konsideruar e barabartë me gjerësinë e tokës dhe thellësinë e qiejve, qëllim ka lumturinë e kësaj bote të shkurtër dhe të së përtejmes së pafundme.
Çdo veprim i një besimtari të vërtetë përbën një adhurim, çdo mendim përbën një akt vetëdisiplinimi, apo vetëkontrolli, çdo fjalë është një lutje dhe bisedë shpirtërore, çdo vëzhgim i ekzistencës përbën një studim dhe investigim të hollësishëm dhe çdo marrëdhënie e tij me të tjerët është dhembshuri e frymëzuar prej të Gjithmëshirëshmit, Mëshirëplotit.
Njeriu produkt i kësaj feje të bekuar nuk e sakrifikon zemrën për fantazitë e mendjes, por as mendjen nuk e shpërfill krejt, në ekuilibër të plotë ai bashkon zemrën me intelektin. Myslimani i vërtetë mbështetet në arsyen dhe përvojën, gjithsesi një rëndësi të veçantë ai i jep ndërgjegjes dhe frymëzimit…
Emisioni “Me syrin e zemrës” me regji të regjisorit Agron Hoxha dhe moderator Armand Bora, transmetohet LIVE (drejtpërsëdrejti) çdo të hënë dhe të enjte, duke filluar nga ora 19.00 deri në 19.50 në TV Ora News, si dhe në faqen zyrtare www.ora-news.com. Gjithashtu ky program mund të ndiqet në paketën dixhitale tokësore dhe satelitore “Digitalb”.
12 Korrik 2013