Medreseja e Tiranës organizoi paraditen e sotme një program festiv me rastin e festave të nëntorit.
Në program morën pjesë nënkryetari i Komunitetit Mysliman Ali Zaimi, zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit Nora Malaj, drejtori i Medresesë së Tiranës Omer Çallësh, mësues dhe nxënës.
Drejtori i Medresesë së Tiranës falënderoi pjesëmarrësit dhe i uroi ata për festat e nëntorit. “Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem pjesë e gëzimit tuaj. Ju uroj nga zemra gëzuar festat e pavarësisë dhe të çlirimit”, tha ndër të tjera z. Çalësh.
Znj. Malaj vlerësoi kontributin e kësaj shkolle në arsimin shqiptar si dhe falënderoi nxënësit për programin e përgatitur. “Këta nxënës që tregojnë rëndësinë e dashurisë ndaj atdheut dhe respektit reciprok, bëjnë që politika të reflektojë dhe të jetë sa më afër tyre”, tha zv/ministrja.
Në programin festiv të përgatitur nga nxënësit e Medresesë së Tiranës pati një mori këngësh dhe poezish me karakter atdhetar, kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë dhe 70-vjetorit të çlirimit.
Pas programit nënkryetari i KMSH-së Ali Zaimi, bashkë me drejtorin e shkollës, e njohën znj. Malaj edhe më tepër mbi aktivitetet e Medresesë e Tiranës.
27 Nëntor 2014