Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dënon ashpër sulmin terrorist të ndodhur sot në një xhami në Sinai të Egjiptit, ku humbën jetën mbi 230 besimtarë myslimanë që po kryenin faljen e xhumasë dhe shumë të tjerë u lënduan.

Në këto momente dhimjeje dhe trishtimi i shprehim ngushëllimet më të sinqerta popullit mik dhe shtetit të Egjiptit për viktimat e kësaj ngjarjeje.

Ne dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt barbar ndaj besimtarëve të pafajshëm e paqësor, duke shprehur bindjen se terrori nuk ka fe e atdhe dhe me ligësinë e tij ai godet pabesisht.

Kjo masakër dhe ky akt është një nëpërkëmbje arrogante ndaj çdo vlere njerëzore dhe një sulm i ulët e i dënueshëm nga çdo normë morale, fetare e universale.

Terrori nuk mund të jetë kurrë pjesë e ndonjë arritjeje apo shpëtimi, terrori nuk prodhon veçse kaos e ligësi. Ai merr jetë njerëzish të pafajshëm dhe është një goditje kundër vlerave demokratike universale dhe vlerave njerëzore.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i shpreh edhe një herë ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe mbarë popullit egjiptian, si dhe i uron shërim të shpejtë të lënduarve.

Ne bashkohemi me dhimbjen e tyre dhe i lutemi Zotit që ngjarje të tilla të mospërsëriten si dhe të gjithë terroristët dhe mbështetësit e tyre të marrin dënimin e merituar.

24 Nëntor 2017
KOMUNITETI MYSLIMAN I SHQIPËRISË

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë