Sekretari i Shtetit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizmat Ndërkombëtare Mons. Paul Richard Gallagher, gjatë vizitës së djeshme në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, zhvilloi gjithashtu një takim me Bordin e Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, mbajtur në selinë e institucionit.
Pjesë e këtij takimi ishin të pestë liderët dhe përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare në Shqipëri, H. Bujar Spahiu, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Hirësi Asti, Ndihmës i Kryepeshkopit Anastas, Mons. Angelo Massafra, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Pastor Ergest Biti, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Mons. Arjan Dodaj, Arqipeshkv i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës dhe Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Në takim merrte pjesë gjithashtu dhe Nunci Apostolik në Tiranë Mons. Luigi Bonazzi.
Kjo mbledhje filloi me një prezantim të shkurtër të historisë së harmonisë ndërfetare dhe Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë nga Sekretari i Përgjithshëm z. Kruja, më pas kryetari Spahiu dhe liderët e komuniteteve fetare i uruan mirëseardhjen Mons. Gallagher. Në përshëndetjet e tyre ata vunë theksin jo vetëm në harmoninë ndërfetare në Shqipëri, por edhe në problematikat e pazgjidhura akoma nga shteti shqiptar, siç është dhe rasti i moskthimit të pronave të konfiskuara nga regjimi komunist, për të cilat komunitetet fetare presin zgjidhje prej më shumë se tre dekadash në demokraci.
Ndërsa Mons. Gallagher vlerësoi kontributin e komuniteteve fetare në Shqipëri dhe modelin e Këshillit Ndërfetar në promovimin e harmonisë dhe dialogut ndërfetar jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej saj.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë