Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender Bruçaj, mori pjesë në simpoziumin ndërkombëtar “Roli i bektashizmit në sendërtimin e dialogut ndërfetar në Ballkan”, të organizuar nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
Fjala e Kryetarit Skender Bruçaj
I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e tij, Z. Bujar Nishani
I nderuar Haxhi Baba Edmond Brahimaj!
I nderuar Kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Efendi Tërnava,
Të nderuar Përfaqësues të Komuniteteve Fetare në Shqipëri,
I nderuar Kryetar i Komitetit të Kulteve, z. Hoxholli,
Të nderuar akademikë, miq dhe të ftuar!
Islami dhe gjurmët e tij në Ballkan dhe në trojet shqiptare janë shumë të hershme. Faktet dëshmojnë për praninë e Islamit, që me kontaktet arabo-islame me Ballkanin, zbuluar këto nga studiues dhe historianë vendas dhe të huaj.
Prandaj, duke u nisur edhe nga hershmëria e tyre, këto lidhje kanë lënë gjurmë të thella në trevat ballkanike e më gjerë.
Sipas burimeve të shkruara, për sa i përket figurave kryesore të thirrësve myslimanë, që përmenden në historikun e Islamit në viset tona, është figura e Sari Salltëkut, si i pari thirrës mysliman që ka ardhur në Shqipëri.
Mirëkuptimi dhe toleranca ndërmjet qytetërimeve e përjetuar në Ballkan gjatë një periudhe disa shekullore është rezultati me i bukur i jetesës sipas parimeve islame. Një nga veçoritë, që e dallon qytetërimin Islam është bashkëjetesa e pjesëtarëve të feve dhe popujve të ndryshëm.
Një diçka tjetër që tërheq vëmendjen tek ne është edhe prania e tarikateve të ndryshme, që ky popull i vogël dhe ndër më të vjetrit nga të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit dhe Evropës mbajti brenda këtë larmi besimesh dhe kulturash. Tarikati Bektashi, siç thotë edhe Haxhi Bektash Veliu, si dhe Dede Reshati (Zoti i mëshiroftë!), është një pjesë e pandarë e Islamit, është një frymëzim mistik, që me frytet e veta ushqeu zemrat e etura të besimtarëve.
Fryma e këtij Tarikati ndikoi në vendosjen dhe fuqizimin e marrëdhënieve të mira mes anëtarëve të shoqërisë dhe bashkësisë së këtyre trevave me përkatësi të ndryshme fetare. Respekti i ndërsjellë dhe dialogu paqësor dhe mirëdashës është themel i predikimit të Tarikatit Bektashi dhe gjithashtu simbol i mirëkuptimit të tolerancës dhe vëllazërimit të shprehur mes pasuesve të feve të ndryshme në trojet shqiptare të kohëve të lashta dhe të kohës moderne në të cilën jetojmë.
Mistika e këtij tarikati e brumosur dhe e frymëzuar nga mësimet islame arriti të bëhej një urë komunikimi dhe bashkëpunimi, e cila la gjurmë të thella në popullsinë e trevave shqiptare.
Më lejoni së fundmi, që në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë t’i uroj udhëheqësve dhe besimtarëve myslimanë të Tarikatit Bektashi suksese në misionin e tyre për përhapjen e vlerave të fesë Islame, dhe veçanërisht për punën e tyre të palodhur për ndërtimin e dialogut e mirëkuptimit ndërfetar në Shqipëri dhe më gjerë.
I uroj suksese këtij simpoziumi dhe të gjithë panelistëve dhe studiuesve që do marrin pjesë në këtë simpozium.
Ju faleminderit!