Myftinia e Elbasanit dhe Sektori i Gruas pranë kësaj myftinie, organizuan në ambientet e kompleksit Rozafa, programin festiv me titull: “Muaji i Ramazanit, muaji i vlerave dhe i harmonisë”.

Në aktivitet morën pjesë Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Drejtori i Medias, z. Agron Hoxha, Myftiu i Elbasanit, z. Agim Duka, Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, Dr. Arben Ramkaj, Imami i Xhamisë Dine Hoxha, z. Ahmed Kalaja, Poeti i njohur Islam, z. Behauddin Gashi, Myftiu i Librazhdit, z. Ardit Hoxhllaku si dhe përfaqësues të tjerë fetarë dhe figura të shquara të qytetit të Elbasanit.

Programi u hap me leximin e disa ajeteve Kuranore rreth agjërimit, për të vijuar më tej me fjalën përshëndetëse të Myftiut të Elbasanit, z. Duka, i cili pasi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në aktivitet, u ndal në rëndësinë shpirtërore dhe qasjen e besimtarëve ndaj këtij muaji të bekuar. Në fund ai ju uroi besimtarëve agjërim të lehtë dhe të pranuar tek Zoti i Gjithësisë.

Ndërsa Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, në fjalën e tij falënderoi Myftininë e Elbasanit për organizimin e këtij programi dhe u ndal në dobitë shpirtërore dhe fizike të këtij muaji.

“Agjërimi në Islam është niveli më i lartë i përmirësimit të karakterit moral e shpirtëror, duke i afruar besimtarët me vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, sinqeritetit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit ”

Programi vazhdoi më tej me ilahi dhe poezi të zgjedhura kushtuar këtij muaji të bekuar.

Më tej ishte radha e Imamit Ahmed Kalaja për të referuar mbi “Vlerat e Muajit të Ramazanit”. Gjatë fjalës së tij ai u bëri thirrje besimtarëve për ti shtuar adhurimet dhe veprat e pëlqyera te Zoti i Gjithësisë veçanërisht gjatë këtij muaji.

Në fund të programit u ndanë tri certifikata mirënjohjeje disa prej njerëzve të shquar të rrethit të Elbasanit që simbolizojnë sakrificat e besimtarëve myslimanë gjatë viteve të errëta të komunizmit por edhe të ringritjes së institucioneve fetare në vendin tonë. Të tillë ishin z. Faik Çota, znj. Fatmira Skilja dhe z. Qazim Hazizi.

  

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë