Myftinia e Krujës ka organizuar një simpozium për Krenarinë e Njerëzimit, Profetin Muahamed a.s.
Në këtë program ishin të pranishëm nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli, myftiu i Krujës, z. Erjol Haxhiu, myftiu i Durrësit, z. Redin Quku, myftinj të tjerë, imamë dhe besimtarë të qytetit të Krujës.
Simpoziumi filloi me këndimin e ajeteve Kuranore dhe më pas është vijuar me ligjërime, ilahi dhe poezi.
Myftiu i Krujës z. Erjol Haxhiu tha se simpoziumet dhe takimet për të përkujtuar dhe sjell në vëmendje traditën dhe shembullin e Profetit Muhamed janë mjaft të rëndësishëm për shoqërinë.
“Jeta dhe shembulli I Profetit Muhamed është e mbushur plot me këshilla dhe vepra të cilat çdo shoqëri ka nevojë. Në ditët e sotme ne kemi më shumë se kurrë nevojë për traditën dhe shembullin e njeriut me të drejtë të njerëzimit”, tha myftiu i Krujës.
Nënkryetari i KMSH-së, z. Luli tha se ne duhet ta shtojmë dashurinë ndaj profetit Muhamed a.s dhe të jemi ndjekës të mirë të këshillave të tij.
Dashuria për profetin Muhamed a.s është njëkohësisht dhe dashuri për bukurinë dhe fisnikërinë e karakterit të tij, për drejtësinë, dhe modestinë të cilën Profeti ynë e zotëron në shkallën më të lartë. Dashuria për Profetin a.s gjithashtu do të thotë dhe dashuri për njerëzimin”, tha ndër të tjera nënkryetari i KMSH-së.
Ndërsa myftiu i Durrësit u shpreh se lidhja jonë me Profetin Muhamed duhet të jetë shumë e fortë.
“Një ndër pikat më të rëndësishme për të pasur një dashuri sa më të madhe për Profetin Muhamed a.s është edhe dërgimi i salavateve. Salavatet për profetin Muhamed duhet t’i dërgojmë sa herë dëgjojmë emrin e tij dhe duhet të shtojmë salavatet edhe pa patur nxitje nga të tjerët”, tha myftiu i Durrësit.
Në fund të pranishmit ndoqën edhe një dokumentar të shkurtër për Profetin Muhamed a.s.