ZK1A0484Myftinia e Elbasanit është vlerësuar nga Këshillit i Qarkut Elbasan me titullin “Nderi i Qarkut Elbasan”, për aktivitetin social e human dhe kontributin e madh në ndihmë të komunitetit.

Propozimi i Kryetarit të Këshillit të Qarkut z. Eugen Isaj, në mbledhjen e zhvilluar më 14.01.2015, për dhënien e titullit “Nderi i Qarkut Elbasan”, Myftinisë, me motivacionin “Për aktivitetin social dhe human, për kontributin e madh dhënë në ndihmë të komunitetit, në të gjithë qarkun e Elbasanit”, është miratuar unanimisht nga këshilltarët e pranishëm.

Myftinia për disa vite rresht ka dhënë një ndihmesë të madhe në ndërtimin e qendrave shëndetësore, shkollave, qendrave sociale, dhënien e ndihmës financiare dhe materiale për më shumë se 400 fëmijë në nevojë, dhe organizimin e shumë aktiviteteve bamirëse në Qarkun e Elbasanit.

Në pak vite ajo ka ndërtuar mbi 8 qendra shëndetësore në të gjithë qarkun, duke u ardhur në ndihmë të gjithë atyre banorëve, të cilët deri para se të ndërtoheshin këto qendra nuk kishin mundësi të afërta të trajtimit mjekësor. Gjithashtu janë ndërtuar dhe rikonstruktuar mbi 5 shkolla në të gjithë qarkun, duke u ardhur në ndihmë nxënësve në nevojë në zona të ndryshme. Janë hapur rreth 150 puse uji të pijshëm si dhe për të ndihmuar bujqësinë në zona të ndryshme.

Myftinia Elbasan trajton me ndihmë ekonomike rreth 400 fëmijë jetimë. Në përkrahje të kësaj shtrese janë ndërtuar 5 shtëpi si dhe janë rikonstruktuar 10 të tjera për njerëzit në nevojë.

Duke marrë parasysh këtë aktivitet në dobi të komunitetit, Këshilli i Qarkut vendosi t’i akordojë Myftinisë Elbasan titullin më të lartë, që jepet nga një institucion vendor.

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë