kruje aktiviteti per profetin (9)

Myftinia Rrethit Krujë ka organizuar një program artistik në përkujtim dhe vlerësim të figurës dhe personalitetit të Profetit Muhamed a.s. – Krenarisë së Njerëzimit.

Siç është bërë traditë aktiviteti filloi me këndimin e një pjese të Kur’anit Famëlartë nga Daud Aktepe.

kruje aktiviteti per profetin (10)
Myftiu i Krujës H. Agim Tereziu

Në fjalën e tij përshëndetëse Myftiu i Krujës, Agim Tereziu, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, theksoi se Profeti Muhamed a.s., erdhi në një kohë ku mbisundonte errësira dhe ai erdhi për t’i dhënë dritë dhe për t’i orientuar njerëzit kah besimi dhe lumturia. “Ai erdhi për të shndërruar shekullin e injorancës në shekullin e lumturisë; ai erdhi për të vendosur dashurinë në zemrat e nxira dhe shpirtrat e trazuar”, tha në fjalën e tij myftiu Tereziu.

Ndërsa nënkryetari i Komunitetit Mysliman H. Bujar Spahiu, pasi përcolli përshëndetjet e përzemërta në emër të kryetarit të KMSH-së, H. Selim Muça, mbajti një referat mbi edukatën dhe moralin e profetit Muhamed a.s.

Ai theksoi se edukata dhe morali i profetit Muhamed a.s. është për t’u marrë shembull nga të gjithë, pasi ai ishte unik në sjelljen dhe veprimtarinë e tij; ai ishte i dërguari i Zotit i cili erdhi për ta nxjerrë njerëzimin nga errësira në dritë. “Ai hodhi themelet e pastra për një shoqëri solide të fortë me vlera dhe moral të lartë, që njeriu të arrijë njerëzoren në çdo fushë të jetës së tij. Popujt që kanë mundur të mbeten në këmbë për një kohë të gjatë pa u rrëzuar nga historia janë ata të cilët kanë ruajtur vlerat morale, shpirtërore e shoqërore”, vlerësoi nënkryetari Spahiu.

kruje aktiviteti per profetin (4)
Nënkryetari i KMSH, H. Bujar Spahiu

I pranishëm në këtë aktivitet, kryebashkiaku i Krujës Shkëlzen Hoxha, në fjalën e tij përshëndetëse, falënderoi Myftininë Krujë dhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për organizimin e aktiviteteve të tilla, të cilat bëjnë të mundur takimin dhe mbledhjen e njerëzve për të folur mbi profetin Muhamed që, siç u shpreh ai, mbetet figura më e lartë që njerëzimi ka njohur në të gjithë ekzistencën e tij.

Ai gjithashtu nënvizoi se “sot në kohën kur po mbizotërojnë interesat materiale është e nevojshme që njerëzit të kthehen e të shohin nga rruga e profetit Muhamed në mënyrë që të kemi njerëz të mirë, shoqëri më të mirë dhe një vend me të mirë, pasi ai ishte dhe mbetet shembull për të gjithë”.

Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Tiranës, z. Ylli Gurra. Sipas tij, Profeti Muhamed paraqet njeriun më të besueshëm, më të drejtë dhe më të dashur që njerëzimi ka njohur ndonjëherë. “Sot, më shumë se kurrë, ne duhet të ndjekim rrugën e Resulullahut, sepse ai ishte njeriu që ngriti në kult punën dhe dijen”, tha myftiu Gurra.

Pjesë e programit ishin edhe disa ilahi të cilat u sollën nga grupi artistik i Universitetit Bedër, që u mirëpritën dhe u duartrokitën ngrohtësisht nga publiku që kishte mbushur sallën e Pallatit të Kulturës së qytetit.

Një dokumentar lidhur me 90 vjetorin e Komunitetit Mysliman përmbylli këtë aktivitet, ku morën pjesë përfaqësues të pushtetit lokal, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare si dhe shumë qytetarë e besimtarë krutanë.

 

30 Prill 2013

/Drita Islame/

 kruje aktiviteti per profetin (2)kruje aktiviteti per profetin (6)kruje aktiviteti per profetin (3)  kruje aktiviteti per profetin (8)kruje aktiviteti per profetin (5)kruje aktiviteti per profetin (7)

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë