Myftinia Lezhë organizoi të shtunën paradite një program për Profetin Muhamed a.s.
Në fjalën e tij Myftiu Agim Tereziu, u shpreh se duhet të vazhdojmë të mësojmë prej mesazhit që Profeti Muhamed a.s. përcolli për njerëzimin që bota të jetë më e paqtë.
“Ai ishte shpëtimtari i njerëzimit, njerëzimit që sot është mbushur me vuajtje dhe dhunë. Lutemi Zotit që dhuna në Alepo të përfundojë sa më shpejt dhe njeriu të respektojë njeriun, ashtu siç profeti në hytben e lamtumirës, na la amanet që të respektojmë njeriun dhe dinjitetin njerëzor, duke e cilësuar njeriun si veprën më madhështore të Allahut.”, theksoi Myftiu Tereziu.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Gazmend Aga, i pranishëm në aktivitet u shpreh se edhe sot qasja mes myslimanëve dhe të krishterëve nuk ka ndryshuar.
“Profeti Muhamed a.s. na ka risjellë në vëmendje vazhdimësinë e atyre çka sollën profetët e tjerë, se i forti duhet t’i dalë për zot të dobëtit, i riu duhet ta respektojë të moshuarit dhe se njerëzit duhet të ushqejnë dashuri për njeri-tjetrin dhe jo dhunë e urrejtje.”, tha z. Aga.
Nënkryetari Aga, u shpreh se Komuniteti Myslilam është përjekur të risjellë në vëmendje dukuritë negative dhe mënyrën se si duhet t’i shkulim ato nga shoqëria jonë.
Nënkryetari Aga e mbylli fjalën e tij duke thënë se duhet harxhuar energjia që të shpëtojmë të rinjtë nga veset, t’i afrojmë ato me institucionin e fesë, pasi një vend me rini të humbur nuk ka të ardhme.
Ndërsa imami i Xhamisë së Et’hem Beut, Elton Karaj, u shpreh se Profeti Muhamed arriti ta pastronte shoqërinë e atëhershme nga të gjitha veset dhe të këqjat dhe mesazhi i tij u bë universal.
“Myslimani ende sot e kësaj dite jeton me mesazhet e tij dhe gjen përgjigje për çdo çështje. Ne jemi krenarë me veprën e tij dhe me mënyrën se si jetoi. Jemi krenar me të dhe ai është krenaria e njerëzimit sepse gjithçka që sot kemi në emër të vlerave dhe për të jetuar si njerëz, është kontribut i tij.”, tha z. Karaj.
Përfaqësuesi i Kishes Katolike, Dom Admir Lule, the se të gjithë jemi bij të të njëjtit Zot që na ka krijuar. “Zoti na ka krijuar prej dashurisë dhe është i mëshirshëm. Këtë dashuri dhe dhembshuri ashtu siç Zoti e tregon ndaj nesh ashtu edhe ne duhet ta tregojmë dhe jetojmë me njëri-tjetrin.”, tha z. Lule.
Prefekti i Lezhës z. Eduard Ndreca tha se lindja e Profetit Muhamed nuk është një ngjarje e rëndësishme vetëm për Komunitetin Mysliman, por për gjithë njerëzimin sepse, ai i dha botës një trajtë tjetër.
“Këshillat e tij ishin për një botë më të drejtë më të afrueshme. Solidarizohem me popullin sirian dhe jam i bindur se asgjë e keqe nuk ndodh nga besimi dhe feja. Prej rreshtave të Islamit buron vetëm dashuria dhe vëllazërimi. Sot kemi një detyrë majft të rëndësishme, t’i bindim njerëzit që të vijnë në institucionet e kultit. Që të rinjtë ta dinë dhe të njohin këshillat e Profetit Muhamed, atëherë bota do të jetë me e drejtë.”, tha z. Ndreca.
Edhe nënkryetari i bashkisë së Lezhës z. Enver Hafizi u solidarizua me popullin sirian dhe përgëzoi myftininë për programin.
“Në emër të bashkisë ju uroj për këtë njgjarje të shënuar. Ne kemi fatin e madh që në Shqipëri në përgjithësi por dhe këtu në Lezhë, te kemi një harmoni mes besimeve dhe kjo falë komuniteteve fetare. Jam i bindur se kjo bashkëjetesë e bukur do të vazhdojë.
Në Alepo po bëhet një kasaphanë dhe kjo vjen kur vesi del mbi virtytin dhe pangopesia mbi mirësinë. Ne duhet t’i potencojmë sa më shumë rregullat e fesë.”, tha z. Hafizi.
Programi vazhdoi me këndimin e Kuranit, ilahive dhe interpretime të poezive të ndryshme për Profetin nga studentet e Universitetit Bedër.
17 dhejtor 2016