kurban bajrami - falja (5)

Qindra mijëra besimtarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë kanë falur dhe festuar Kurban Bajramin, festën e sakrificës dhe devotshmërisë ndaj Krijuesit, festën e paqes, dashurisë dhe barazisë mes njerëzve.

Mijëra besimtarë myslimanë burra dhe gra, ashtu si çdo vit, nisën festimet që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të Kurban Bajramit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Edhe pse në një kohë me shi, kjo nuk i ka penguar ata të festojnë kryejnë ritualin e përvitshëm të faljes së namazit të Bajramit.

Ceremonia ka filluar me këndimin e pjesëve kuranore nga profesori i Teologjisë në Universitetin Bedër, Daut Aktepe. Më pas Kryetari i KMSH Haxhi Selim Muça uroi të gjithë besimtarët shqiptar kudo që ndodhen, për këtë ditë të shënuar, të sakrificës dhe përkushtimit ndaj Zotit.

“Kjo është dita e sakrificës, bujarisë, paqes e solidaritetit, ku njerëzit ndajnë atë çka kanë me të tjerët. Therja e kurbanit dhe ndihma për nevojtarët duke i gëzuar ata, i shërben zgjerimit të drejtësisë shoqërore dhe fuqizimit të dashurisë midis njerëzve. Gjithashtu nga ana tjetër kurbani e mëson njeriun e pasur të japë nga pasuria e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit. Uroj besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët, ta jetojnë gëzuar këtë festë. Paçin mirësi e begati, Zoti e bekoftë Shqipërinë”, u shpreh Kreu i KMSH-së Haxhi Selim Muça.

Pas faljes së namazit drejtuar nga nga kryetari H. Selim Muça, besimtarët kanë dëgjuar hytben e bajramit të mbajtur nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili gjithashtu uroi besimtarët për këtë festë të madhe duke falënderuar Zotin për mirësitë që i ka falur shqiptarëve.

“Falënderoj Zotin, që bëri të mundur këtë atmosferë të lartë shpirtërore, në përkujtimin e kësaj dite të gëzueshme. “Ditët e bajramit janë kohët shpresëdhënëse që përcjellin për në përjetësi përkushtimin tonë ndaj besimit, ndaj adhurimit të Mëshirëplotit. Këtë gjë e tregoi edhe ardhja juaj këtu edhe pse në një ditë me shi. Unë kam besim se e nesërmja do të jetë më e mirë se e sotmja dhe se njerëzit e besimit janë ata që do ta ndryshojnë këtë vend”, tha mes të tjerash myftiu Gurra.

Pas ceremonisë së faljes së bajramit besimtarët kanë uruar njëri–tjetrin për këtë ditë shpërblimi, dhe më pas janë shpërndarë nëpër familjet e tyre të festuar dhe drekuar.

Besimtarët myslimanë në këtë ditë therin kurbane dhe e ndajnë atë me njerëzit në nevojë duke mbajtur për vete vetëm një të treten. Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla, të cilat u serviren edhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre stolisen sa më mirë të jetë e mundur.

kurban bajrami - falja (3)

kurban bajrami - falja (2)

kurban bajrami - falja (12)kurban bajrami - falja (6)

 

kurban bajrami - falja (1)  kurban bajrami - falja (4)kurban bajrami - falja (7)       kurban bajrami - falja (8)kurban bajrami - falja (10)kurban bajrami - falja (11)kurban bajrami - falja (9)

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë