Pas 30 ditëve agjërim, lutje, adhurime, lexim Kur’ani e bamirësi, myslimanët e Shqipërisë dhe të mbarë botës, festojnë sot Fitër Bajramin.
Të hënën, më 28 korrik 2014, që në orët e para të mëngjesit bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, segmenti para ish- hotel “Dajti”-t, u mbush nga mijëra besimtarë myslimanë, që kishin ardhur për të marrë pjesë në ceremoninë e faljes së Bajramit.
Para faljes së namazit, besimtarët ndoqën një program të shkurtër të drejtuar nga Oltion Kola, pjesë e të cilit ishin tekbire, salavate dhe ilahi.
Mesazhe urimi përcollën në këtë ditë festive Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj dhe nënkryetari Bujar Spahiu. Kryetari Bruçaj theksoi se kjo ditë mbart një rëndësi të veçantë, pasi çdo mysliman kurorëzon sakrificën dhe përkushtimin e tij të bërë gjatë Ramazanit dhe qëndron në pritje të shpërblimit prej Zotit. “Bajrami është simbol i paqes, i gëzimit, i qetësisë shpirtërore, moment i lartësimit të Allahut dhe koha e shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit, që është edhe qëllimi final për çdo besimtar. Festa e Bajramit është lehtësim i shpirtit, është kënaqësia e brendshme që buron prej shpresës së përmbushjes së adhurimit dhe përfitimit të faljes prej Allahut, Mëshiruesit Fuqiplotë.”, u shpreh Kryetari Bruçaj në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve të pranishëm në shesh.
Ndërsa nënkryetari Bujar Spahiu, theksoi se secila prej festave islame është caktuar pas kryerjes së një obligimi madhor, pas kryerjes së të cilit besimtarët ftohen të shprehin mirënjohjen dhe falënderimin ndaj Zotit, si shenjë e devotshmërisë. “Pas kryerjes së një detyre të shenjtë, Zoti ka caktuar që të festojmë, në shenjë mirënjohjeje për mundësinë që na dha në mënyrë që t’i bindemi urdhrit të Tij”, tha z. Spahiu.
Z. Spahiu përmendi disa nga vlerat dhe urtësitë e Fitër Bajramit për individin, familjen dhe shoqërinë islame, kur tha se, Zoti urdhëron që bajrami të festohet dhe të përjetohet nga të gjithë. “Në përfundim të agjërimit besimtarët dhurojnë Sadakanë e Fitrit, duke plotësuar një obligim hyjnor dhe shlyer një detyrë humane e njerëzore. Kështu ata e kalojnë këtë festë të gjithë së bashku të kënaqur për realizimin me sukses të një detyre madhore dhe të gëzuar për arritjen e shpërblimit dhe mirësisë së garantuar prej Zotit Fuqiplotë”.
Faljen e namazit të bajramit e drejtoi nënkryetari i KMSH-së H. Bujar Spahiu ndërsa më pas, Myftiu i Tiranës, H. Ylli Gurra mbajti hytben e rastit.
Në fjalën e tij drejtuar besimtarëve dhe shqiptarëve z. Gurra theksoi se Ramazani për myslimanët qe një periudhë që u karakterizua nga një sërë detyrimesh, të cilat u kryen prej tyre me devotshmërinë e duhur.
Myftiu Gurra vlerësoi se festa e Fitër Bajrami është një moment që u jep forcë besimtarëve dhe u shton atyre optimizmin për një të nesërme më të mirë, më të lumtur e më të begatë, në aspektin individual, familjar, shoqëror e kombëtar. “Urimi “Për shumë vjet Bajramin!” – tha z. Gurra, – përmbledh në vetvete forcën shpirtërore për të kryer detyrat e mëdha që kemi përpara në shërbim të Islamit, kombit dhe Atdheut tonë të shtrenjtë”. Ai i bëri gjithashtu thirrje qeverisë për domosdoshmërinë e finalizimit të fillimit të punimeve të xhamisë së shumëpritur të qindra dhe mijëra besimtarëve myslimanëve shqiptarë.
Të rrethuar nga një atmosferë e ngrohtë besimi e vëllazërie, pjesëmarrësit e shumtë janë përshëndetur dhe kanë ndarë me njëri-tjetrin gëzimin dhe emocionet e kësaj dite të madhe paqeje, mirësie e shpërblimi.