Ngjarja e Israsë dhe Miraxhit ka ndodhur afërsisht 16 muaj para se Profeti Muhamed (a.s.) të emigronte në Medinë, saktësisht në natën e 26 që lidh natën e 27 të muajit Rexhep të vitit 621 miladi, në vitin e 12 të profetësisë së tij kur ai ishte 52 vjeç. Hz. Muhamedi (a.s.), me urdhrin e ardhur nga Allahu i Lartë, është dërguar natën nga Mesxhidi Haram (Meke) në Mesxhidi Aksa (Kuds). Ky dërgim quhet “isra” që do të thotë “udhëtim natën”. Dhe prej këtu, është ngjitur në qiell dhe kjo ngjitje apo lartësim quhet “miraxh”. I gjithë ky udhëtim është bërë me trup dhe shpirt nga Profeti Muhamed (a.s.). Këtë specifikë e bën të qartë në Kur’an ajeti i parë i sures Isra: “I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Mesxhidi Harami (në Mekë) për në Mesxhidin e Aksas (në Kuds), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon dhe sheh çdo gjë.”
Nuk ka dyshim se Miraxhi është një eveniment në kundërshtim me ligjet e natyrës që njohim ne. Por nuk është jashtë fuqisë dhe kompetencës së Allahut (xh.sh.), zotëruesit të fuqisë absolute që ka krijuar çdo gjë dhe që i jep vazhdimësi gjithësisë në harmoni të plotë.
Pyetje: A mund të pranohet logjikisht ndodhitë e Israsë dhe Miraxhit?
Përgjigje: Lëvizjet janë nga më të shumëllojshmet për sa i përket Fuqisë së krijimit nga Allahu (xh.sh.). Për shembull, dihet se sa të ndryshme janë shpejtësitë e zërit, dritës, elektricitetit, shpirtit dhe imagjinatës me njëra-tjetrën. Shkencërisht ne jemi të informuar edhe për shpejtësitë e yjeve, për të cilët mendja jonë mbetet e shtangur. Atëherë, përse të na vijë çudi kur trupi i Profetit (a.s.) t’i përshtatet shpejtësisë së shpirtit të tij mjaft të shpejtë gjatë natës së Miraxhit?
Njeriut mund t’i vijnë ndër mend një mori gjërash për dhjetë minuta në ëndërr, që mund t’i jetojë brenda një viti. Për më tepër, njeriu sheh dhe dëgjon aq shumë gjëra në një ëndërr, saqë kur i mbledh dhe i thotë ato, i duhet disa orë. Përfundimisht, është e mundur të pranosh logjikisht se vetëm për disa minuta mund të kalohet një distancë mijëra vjeçare.
Historiku i Israsë dhe Miraxhit
Njëra prej ngjarjeve më të rënda të periudhës së Mekës për myslimanët si dhe më e vështira për t’u duruar prej tyre, ishte vdekja e dy njerëzve të mëdhenj që u patën dalë krah dhe u qenë bërë mbështetje profetit dhe myslimanëve, Ebu Talibit xhaxhait të profetit dhe Hatixhes, gruas së Profetit (a.s.). Kjo situatë rëndohet edhe më tepër kur Profetin e përzunë me gurë nga qyteti i Taifit. Të gjitha këto ngjarje të hidhura të ardhura njëra pas tjetrës, e dëshpëruan Profetin (a.s.), i cili në fund të fundit, ishte njeri prej mishi dhe kocke. Megjithatë, ai kurrë nuk ra në pesimizëm. Në një gjendje të tillë ndodhi ngjarja e Israsë dhe Miraxhit, ku Profeti u bë dëshmitar i shumë bukurive hyjnore, i një dukurie të jashtëzakonshme të realizuar jashtë kufizimeve kohore e hapësinore, në një mënyrë të pashpjegueshme me mend e të pashprehshme me fjalë. Ai bisedoi me Zotin dhe u ngushëllua prej Tij për ngjarjet e fundit që kishte përjetuar.
Në një natë thotë Profeti, çatia e shtëpisë sime u hap dhe zbriti engjëlli Xhibril (Xhebrail). Ai i hap gjoksin profetit dhe pasi e lan zemrën e tij e vendos përsëri në vend. Më pas Profeti hip në një kafshë me ngjyrë të bardhë që ishte Buraku. Fjala “Burak” vjen prej fjalës “berk” që do të thotë vetëtimë. Distanca e hapit të tij ishte tej largësisë së shikimit. Hz. Muhamedi (a.s.) në shoqërimin e Xhibrilit mbërrin në Mesxhidi Aksa, ku u prin si imam në namaz të gjithë profetëve të Zotit.
Më pas fillon ngjitjen në qiell duke iu zbuluar të gjitha sekretet dhe misteret hyjnore të gjithësisë lëndore dhe shpirtërore. Profeti tregon që, Xhibrili u ngjit me mua në qiellin e parë dhe kërkoi që ata të hapen. Një zë e pyeti “Kush je ti?” dhe ai iu përgjigj: “Jam unë Xhibrili”. Zëri e pyeti përsëri: “Kush është me ty?” dhe ai iu përgjigj: “Muhamedi”. Pastaj ai e pyeti përsëri. “A është i ftuar?” Dhe ai u përgjigj që ishte. Thanë: Mirë se të vijë! Ç’vizitor i mrekullueshëm që ka ardhur! Kur kalova nëpër këtë qiell, aty pashë Ademin (a.s.)! Xhibrili më tha: Ky është babai yt, Ademi. Përshëndete, pra! E përshëndeta dhe ai ma ktheu selamin e më tha: Mirësevjen, o bir i drejtë dhe Profet i drejtë!’
Hadithi vazhdon duke përshkruar Profetin e dashur dhe Xhibrilin, duke u ngjitur lart. Në qiejt me radhë Profeti Muhamed (a.s.) takon profetët Jahjanë dhe Isanë, Jusufin, Idrizin, Harunin, Musanë, dhe Ibrahimin. Secili prej tyre e përshëndeti si vëlla Muhamedin e bekuar duke u lutur për të. Profeti vazhdon mbi qiellin e shtatë në vendin e quajtur Sidretu’l-Munteha. Profeti Islam vazhdon më tej i vetëm dhe paraqet para Zotit përshëndetjen e njohur si et-tehijatu, të cilën e këndojmë kur jemi ulur në namaz. “Përshëndetjet, respekti, lavdia dhe zotërimi i takon Allahut (xh.sh.)”. Allahu i plotfuqishëm urdhëroi: “Shpëtimi, mëshira dhe bekimi i Zotit janë për ty, o Profeti Im!” I dërguari i Allahut shtoi: “Shpëtimi qoftë për ne dhe për njerëzit e sinqertë të Zotit!” Atëherë, e gjithë bota engjëllore, njëzëri shqiptoi maksimën e dëshmisë, duke dëshmuar njësimin e Allahut të lavdëruar si dhe Muhamedin si rob dhe të dërguarin e Tij.
Me rastin e kësaj vizite qiellore Profetit (a.s.) do t’i jepen më vonë 12 principet e Islamit, që përmenden në ajetet 22-39 të sures Isra:
1- Mos i bëni ortak Allahut
2- Respektojini dhe bindjuni prindërve
3- Jepuni te drejtën që u takon të afërmeve, të varfërve dhe udhëtarëve
4- Mos shpërdoroni. Mos ji koprrac e as dorëlëshuar
5- Mos i vrisni fëmijët nga frika e varfërisë
6- Mos iu afroni imoralitetit
7- Mos vrisni njeri pa të drejtë
8- Mos abuzo me pasurinë e jetimit
9- Mbaji premtimet
10- Mos u shmangni prej drejtësisë në matje e peshim
11- Mos ndiq atë për të cilën nuk ke dijeni dhe përmbahu nga pohimet e pabaza dhe hamendjet
12- Shmangu nga mburrja dhe mendjemadhësia.
Urdhëresa për Profetin dhe ymetin e tij që mori prej Miraxhit ishin pesë kohët e namazit. Hadithi kudsi shpjegon se si Allahu e urdhëroi profetin që namazi duhej të falej 50 herë në ditë. Gjatë rrugës së kthimit, ai takoi Musain, i cili i thotë se njerëzit nuk mund ta kryenin kaq shumë këtë detyrë. Ai me përulësi u rikthye disa herë në prezencë të Allahut derisa numri i namazeve u zvogëlua në 5, por me shpërblim sa për 50. “O Muhamed! Ato janë pesë namaze, çdo ditë e natë, për çdo namaz ka dhjetë shpërblime. Ato janë pra 50 namaze…” Me gjithë këtë lehtësim të madh Musa (a.s.) i tha Profetit që të kërkonte përsëri lehtësim, por përgjigjja e Profetit (a.s.) do të ishte kuptimplotë: “Jam kthyer aq shumë te Zoti im, saqë më vjen turp prej Tij.” (Muslim, Kitabu’l iman, hadithi 266). Profeti (a.s.) për Miraxhin do të shprehet: “Nuk kam parë kurrë diçka më të mirë sesa ai”. (Ibn Hisham, Sire Neveuije, Kisatu’l Miraxh, f. 404)
Kur Profeti lajmëroi të nesërmen për Miraxhin, politeistët ngulmuan në pyetje. E pyetën për Kudsin dhe Mesxhidin Aksa. Edhe pse Profeti nuk i pat shkelur kurrë më parë ato vende, iu përgjigj një për një pyetjeve të politeistëve. Megjithatë, në zemrat e tyre nuk ndodhi ndonjë anim. Politeistët shkuan e i thanë Hz. Ebu Bekrit: “E dëgjove? Shoku yt thotë se mbrëmë shkoi në Kuds dhe prej atje, u ngjit në qiell!” Sikur deshën të thonin “Tani e teproi!” Hz. Ebu Bekri, i cili ende s’ish takuar me profetin dhe s’e kish dëgjuar akoma ngjarjen prej vetë atij, i pyeti: “Këto që po thoni, Muhamedi vetë i thotë?” “Po!” – Iu përgjigjën ata. “Nëse i thotë vetë ai, domethënë se janë të vërteta” – u përgjigj pa asnjë mëdyshje Ebu Bekri. Për këtë përgjigje të prerë dhe me besim ta patundshëm, Profeti e mbiquajti atë “Sidik”, “Besnik”, që do të thotë person i drejtë dhe i sinqertë në besim pa pasur as dyshimin më të vogël.
Edhe dy detaje të rëndësishme me ndikimin frymëzues të Israsë dhe Miraxhit:
1.Israja dhe Miraxhi ka frymëzuar edhe ndjekësit e traditave të tjera fetare. Rast tipik është ndikimi i saj në konceptimin e veprës “Komedia Hyjnore” të Dante Aligerit. Me plot të drejtë, italianët e konsiderojnë Danten si poetin e tyre kombëtar dhe veprën “Komedia Hyjnore” si poemë të shenjtë. Në këtë vepër Dante ndërmerr një udhëtim imagjinar në Botën e Përtejme, në Ferrin dhe Parajsën. Studiues të ndryshëm lindorë, por edhe evropianë, kanë dhënë idenë se Dante Aligeri është mbështetur konsiderueshëm te rrëfimet e profetit Muhammed (a.s.) për ndodhinë e Miraxhit.
2. Sigurisht që nuk mund të lihet pa përmendur se “Miraxhi” i profetit Muhamed përbën udhëtimin e parë të njeriut në hapësirat qiellore. Udhëtimi i profetit Muhamed përbën një horizont për t’u arritur, edhe ky udhëtim-mrekulli në kufijtë e universit përbën një kulm drite që e fton njeriun për t’iu afruar.
Afro 200 vjet pas udhëtimit qiellor të Muhamedit dhe nën ndikimin frymëzues të ajetit kuranor, Abbas Ibn Fernas bëri përpjekjet e para për të fluturuar. Këto përpjekje vijuan, pas afro 800 vitesh, me Leonardo Da Vinçin. Dhe, më tej, me ndërtimin e avionëve, fluturimin rreth Tokës të Gagarinit, zbarkimin në Hënë etj. Sot, pas afro 14 shekujsh, shkenca vazhdon të synojë depërtimin në hapësirat qiellore.
Fluturimet e para, lëshimi i satelitëve, shkelja e njeriut në Hënë, studimi i drejtpërdrejtë i Marsit, studimi i sistemit tonë diellor e më gjerë, janë prova se njerëzimi, dashur pa dashur, ka ecur në rrugën e arritjes së horizonteve të mrekullive kuranore dhe të profetit Muhamed (a.s.) Kjo tregon saktësinë e Kuranit, çdo fjali e të cilit është një argument më vete.
Nëse duam edhe më tej ta ndjekim Profetin e Zotit në miraxhin e tij, mos të ndahemi nga falja e namazit. I kemi dhënë besën Zotit se namazin do ta falim dhe Profetin (a.s.) në miraxhin e tij do ta ndjekim. Miraxhi është treguesi më i mirë se si besimtari mysliman duhet të marrë si model Profetin Muhamed (a.s.).