Ibrahim Balla (2)“Inna lil’lahi ue inna ilejhi raxhiun…”
(Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi)

Sot, më 24 shkurt 2015, është ndarë nga jeta H. Ibrahim Balla, ish-drejtor i Medresesë së Tiranës në vitet 1991-1998.
Lindi në Farkë të Tiranës më 10.09.1930, në një familje arsimdashëse fetare. Në vitin 1945 prindërit e dërgojnë për të kryer studimet e arsimit 7 vjeçar e të mesëm në Medresenë e Tiranës. Dallohet që në fillim për përkushtim ndaj mësimit e kulturës fetare dhe radhitet ndër nxënësit elitarë të shkollës.
Në vitin 1951 përfundon studimet e diplomohet me maturën e Medresesë me rezultate të shkëlqyera. Drejtoria e shkollës i propozon Komunitetit Mysliman që të emërohet mësues i lëndëve fetare në Medrese. Aprovohet e menjëherë fillon punën e mësuesit aty.
Komuniteti Mysliman, duke parë aftësitë e Ibrahimit dhe sjelljen shembullore të tij, kërkoi shkëputjen e tij nga arsimi për t’u bërë pjesë e administratës së institucionit. Emërohet drejtor i administratës financiare. Dallohet në këtë detyrë e më vonë i ofrojnë detyrën e Zv. Kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe sekretarit të përgjithshëm, detyrë të cilën e kryen me shumë përkushtim.
Pas ndalimit të fesë, Ibrahimi u bë shembull persekutimi. Përjetoi diskriminimet me fletë-rrufe në mesin e Tiranës, ku nxitesh rinia për ta poshtëruar atë.
Pas një viti, kur ishin shkatërruar të gjitha institucionet fetare, Ibrahimin e thirrën për ta emëruar mësues në fshatin më të thellë të Tiranës, Zall-Bastar. Punon në arsim edhe në fshatra të tjerë si Surrel, Priskë, Farkë e Shkozë derisa del në pension në vitin 1985.
Përmbysja e pushtetit komunist solli ditë të bukura e të reja për Ibrahimin. Ai do të ishte iniciatori i hapjes e inaugurimit të parë të fesë në Tiranë në Xhaminë e Sahatit.
Ai bëhet pjesë e themelimit të Komunitetit Mysliman dhe emërohet drejtor i Medresesë së Tiranës. Sjellja e tij shembullore me nxënësit e kolegët e bëri Ibrahimin figurë popullore. Shkëputet në vitin 1998 nga Medreseja për t’iu përkushtuar detyrave fetare. I palodhur, i kudondodhur Ibrahimi vazhdoi punën në shërbim të Fesë Islame.
Misioni i tij mbeti si protagonist i personalitetit të një teologu të ndershëm, të ditur dhe të ngritur me ndjeshmëri dhe vizion për Islamin.
Komuniteti Mysliman, kolegët e tij të rinj dhe të vjetër, ish nxënësit e tij, xhemati i qytetit të Tiranës, njohës të tij nga e gjithë Shqipëria, do ta kujtojnë H. Ibrahim Ballën si një besimtar të devotshëm, si mik të sinqertë, si një person që kurrë dhe askush nuk mundi ta ndajë nga udha e Zotit, si një person që askush nuk mundi ta shtyjë jashtë rrugës së besimit islam.
Ai do të mbetet ndër breza si një shembull udhëheqës për në rrugën e drejtë.
Allahu pastë mëshirë për shpirtin e tij të pastër!

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë