Nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Gazmend Aga, mori pjesë në një panel të hapur rreth përkujtimit të Holokaustit dhe Dialogut Ndërfetar.
Më 27 Janar 2014, në Akademinë e Filmit Marubi, u organizua një panel i hapur rreth përkujtimit të Holokaustit dhe Dialogut Ndërfetar. Në bashkëbisedimin e hapur me studentët morën pjesë nënkryetari i KMSH-së z. Gazmend Aga, Kancelari i Kishës Katolike, z. Henry Weltkamp, përfaqësuesi i ambasadës amerikane z. Nathaniel S. Naft dhe Drejtori i Akademisë së Filmit Marubi, z. Kujtim Cashku.
Nënkryetari z. Aga theksoi se Holokausti është krim ndaj njerëzimit dhe se vrasja e të pafajshmëve në çdo kohë e në çdo masë është krim. Ai nënvizoi faktin se myslimanët shqiptarë treguan se ishin njerëz në një kohë ku ishte e vështirë të ishe i tillë, duke shpëtuar të gjitha familjet hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Gjithashtu z. Aga u lut që ngjarje të tilla të mos ndodhin më kurrë dhe se me edukimin e njeriut me besim e vlera universale njerëzit do bashkëjetojnë ne paqe e harmoni.