Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica ka mbajtur hytben e ditës së Premte në Xhaminë e Medresesë në Tiranë.
Gjatë hytbes ai foli për Profetit Muhamed a.s, moralin, mëshirën, jetën e tij të ekuilibruar, drejtësinë dhe shembullin e tij të përkryer.
Më poshtë po ju sjellim disa nga mesazhet më kryesore të hytbes së nënkryetarit.
Dërgimi i Profetit a.s si i dërguar në mesin e njerëzve është një mirësi e madhe për besimtarët.
Në Kur’an thuhet: “Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar”.
Ndërsa Profeti a.s në lidhje me këtë na thotë:
“Shembulli im, me Profetet (e tjerë para meje), është si ai njeriu që ka ndërtuar një ndërtesë, të plotësuar dhe të zbukuruar mirë, por ka lënë pa vendosur një tullë. Aty futen njerëzit për ta vizituar dhe çuditen nga kjo. Të mahnitur thonë ah sikur të ishte vendosur dhe ajo tullë. Pikërisht, unë jam ajo tulla, vula e Profetëve”.
Prefeti ynë nuk është i dërguar vetëm për një popull të caktuar, siç ishin të dërguarit para tij, por i dërguar për mbarë njerëzimin. Dhe kjo është një nga dallimet mes Profetit Muhamed a.s me Profetët e para dërguar. Ndërkohë në Kur’anin Famëlartë për këtë thuhet:
“Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues për të gjithë njerëzimin, por shumica e njerëzve nuk dinë”.
Profeti ynë a.s nuk është vetëm për njerëzit, por mëshirë për mbarë botën. Kjo në Kur’an pohohet kështu: “Nuk të kemi dërguar ty o Muhamed vetëm se mëshirë për mbarë botën”.
Nuk ka dyshim se, Profeti a.s nuk është i dërguar mëshirë vetëm për njerëzit, por për të gjithë botërat. Profeti Muhamed a.s ishte i mëshirshëm dhe i butë me të gjithë njerëzit dhe krijesat e tjera, për këtë, nuk bënte dallim mes njerëzve. Është apo jo mysliman, burrë apo grua, i madh apo i vogël, i pasur apo i varfër, i lirë apo rob qofshin ato kundrejt tyre ishte i mëshirshëm.
Jeta që jetoi Profeti a.s me parimet që shpjegoi ishte e ekuilibruar. Gjërat që i shpjegonte së pari i zbatonte vete. Sepse njeriu atë këshillë që thotë, nëse nuk e vepron vetë, nuk ka ndonjë ndikim tek tjetri.
Kur e pyetën nënën e besimtarëve, Aishen r.a se cili ishte morali i Profetit a.s, ajo u ishte përgjigjur: “Morali i Profetit ishte Kur’ani”. Profeti a.s është një shembull i bukur me sjelljet dhe personalitetin e tij të lartë. Në fakt Kur’ani e shfaq Profetin a.s si të vetmin që duhet të merret shembull, ku thote: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun”.
Në ajetin Kur’anor, shpjegohet se Profeti a.s është një shembull i gjallë dhe një shabllon plot vlerë, një model jetese, një personalitet që duhet djekur e në këtë mënyrë fitojnë kënaqësinë e Allahut xh.sh.
Për Profetin a.s morali ishte gjithcka. Ai i jepte aq shumë rëndësi moralit të bukur, saqë kur e pyesnin se çështë feja, ai u përgjigjte duke u thënë se feja është morali i bukur.
Profeti a.s gjatë gjithë jetës së Tij ka qenë i drejtë, nuk është larguar as edhe një fije nga drejtësia. Kundrejt çdo njeriu është sjellë i drejtë duke vepruar me ndershmëri.
Ta duash Profetin do të thotë të ndjekësh rrugën që ai ndoqi, dhe ta jetosh në praktikë shembullin e tij.
Që të fitojmë dhe ta meritojmë faljen dhe mëshirën e Allahut xh.sh rruga e vetme e kësaj është ti bindemi synetit të Pejgamberit a.s. Në Kur’anin Famelarte thuhet: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”.
Prandaj, ne këtë ajet thuhet qartë se t’i bindesh Profetit a.s është shkak që të fitojmë kënaqësinë e Allahut dhe të na falen gjynahet.